Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi po shkakton prej javësh frikë dhe vdekje në çdo kontinent, si dhe një tkurrje dramatike të ekonomisë botërore, por ka përcjellë edhe një aspekt të papritur mjedisor.
Si rrallëherë në dekadat e fundit, banorët e Wuhanit dhe provincës së Hubeit, të parat e goditura nga COVID-19, mund të shijojnë, përtej lirisë nga karantina e detyruar, edhe një qiell blu të kthjellët, që ndoshta nuk kishin përjetuar kurrë.
Sipas ministrisë kineze së Mjedisit por edhe nga vrojtimet e amerikanes NASA, ka patur një rritje me 25% të ditëve me ajër të pastër.
Arsyeja? Bllokimi i zinxhirit industrial në atë provincë dhe jo vetëm, ka shkaktuar uljen me të paktën 25% të gazrave me dioksid nitrogjeni dhe dioksid karboni.
Ky i fundit, i prodhuar më së shumti nga përdorimi i qymyrit që furnizon ende pjesën më të madhe të industrisë kineze, sipas përllogaritjeve ka rënësi sasi me 200 milion tonelata vetëm në një muaj. Pak a shumë, gjysma e prodhimit vjetor të Britanisë së Madhe.
Kjo rënie dramatike e konsumit industrial, së bashku me reduktimin me 70% të fluturimeve të brendshme dhe të përdorimit të karburanteve për automjetet, ka shkaktuar atë që për ekspertët duket si “ndryshimi mjedisor më i shpejtë dhe radikal i përjetuar ndonjëherë”.
Por ka shumë ambientalistë që paralajmërojnë se e grija tradicionale e qyteteve kineze mund të kthehet së shpejti.
Diçka e tillë ndodhi në 2009, pasi Pekini lëvroi 586 miliardë dollarë për të përballuar krizën financiare globale. Prodhimi i shtuar rriti nivelin e ndotjes në nivele të papërballueshme, saqë për herë të parë në 2013 qeveria e Xi Jinping hartoi një plan masash kombëtar për mjedisin, që ka sjellë një ulje me rreth 10% të ndotjes në vendin aziatik.
Kur koronavirusi të jetë thjesht një kujtim i hidhur në Kinë, kriza ekonomike mund të shtyjë industrinë të shumëfishojë prodhimin për të mos humbur terren dhe pozitat e fituara në dekada në tregtinë ndërkombëtare. Kjo mund të sjellë një përkeqësim po aq të shpejtë të nivelit të ndotjes mjedisore, me pasoja të paparashikueshme. Dhe me të, qiej gri plumb.