Shpërthimi i vullkanit në malin Etna në Siçili pritet të shtrijë ndikimin e tij në gjithë juglindjen e Europës.
Ndonëse vendi ynë ndodhet kilometra larg kësaj zonë, pasojat e vullkanit do të ndihen edhe në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit.
Mbrëmjen e së hënës, Etna, i njohur si vullkanit më aktiv në Europë, filloi të nxjerrë llavë dhe të lëshojë hirin vullkanik në ajër. Edhe gjatë ditës së të martës hiri vullkanik vijoi të përhapet në atmosferë.
Faqja e parashikimit të motit “AccuWeather” ka njoftuar se hiri vullkanik pritet të përhapet edhe më tej.
Kështu, parashikohet që shpërthimi i Etnës të ndikojë në të gjithë juglindjen e Europës ku përfshihen të gjitha vendet si: Jugu i Italisë, pjesa më të madhe e Shqipërisë, veriu i Greqisë, e gjithë Maqedonia, juglindja e Kosovës, jugu i Serbisë, e gjithë Bullgaria, jugu i Rumanisë dhe veriu i Turqisë evropianë.
“Gjatë ditëve të ardhshme, hiri vullkanik pritet të përhapet në gjithë pjesë juglindore të Italisë”, zonë e cila do të ndjejë edhe efektet më të këqija”, thotë meteorologu i “AccuWeather”, Tyler Roys.
“Cilësia e dobët e ajrit do të jetë një shqetësim, pasi hiri mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, veçanërisht te njerëzit e ndjeshëm. Kjo situatë mund të vazhdojë për disa ditë, për aq kohë sa do të zgjasë shpërthimi i vullkanit”, thotë Tyler Roys.
Hiri do të ngjitet në nivelet e sipërme të atmosferës dhe do pengojë rrezet e diellit në detin Jon dhe Ballkan, duke filluar nga e premtja për të vazhduar deri të shtunën. Në këtë situatë do të krijohet edhe një ‘re tymi’, e cila do qëndrojë mbi rajonin tonë për të paktën dy ditë.
Për personat që kanë probleme me frymëmarrjen rekomandohet që të shmangen daljet jashtë shtëpisë nëse situata e ajrit rëndohet. Hiri mund të shkaktojë edhe probleme të vogla në fluturimin e avionëve, kryesisht në rajonin e Sicilisë, dhe në Mesdhe.
Vullkani në malin Etna është më aktivi në Europë, gjithsesi, studiuesit nuk parashikojnë rreziqe të madha nga shpërthimet.