Dhuna në familje dhe ndaj fëmijëve, dëmtimi i shkollave nga tërmeti dhe mungesa e godinave të sigurta, vështirësitë ekonomike të familjeve nga COVID-19, ankthi dhe stresi i shtuar te të rinjtë gjatë periudhës së COVID-19, apo emigrimi i të rinjve dhe familjeve janë vetëm disa nga problematikat kryesore që të rinjtë nga Shqipëria dhe nga Kosova, kanë nxjerr në pah, për të kërkuar ndryshim, por dhe duke dhënë ide dhe alternativa sesi qytetet dhe komunitetet e tyre të mund të rimëkemben pas tërmetit dhe pandemisë COVID-19. Ata kërkuan mbështetje dhe investime strategjike për zhvillimin dhe rimëkëmbjen e zonave ku banojnë.
Të gjitha këto tematika u diskutuan në edicionin e katërt të Festivalit të Rinisë i cili u zhvillua për herë të parë virtualisht në kushtet e ‘normalitetit të ri’, si dhe në përgjigje të nevojës emergjente të familjeve për t’u ringritur nga sfidat socio-ekonomike me të cilat po përballen pas tërmetit dhe pandemisë COVID-19.
Përgjatë 2 ditëve të festivalit, përfaqësuesit e 2062 të rinjve nga 10 rajone theksuan rëndësinë e zhvillimit ekonomik përmes rimëkëmbjes së ekonomisë familjare, mbështetjes së fermerëve, zhvillimit të turizmit malor e detar, agro-kulturës, bujqësisë, si dhe sektorëve të tjerë të ngjashëm që kërkojnë vëmendje dhe investim.
Sipas raportit të vlerësimit mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri rezulton se 76% e tyre nuk kanë përmbushur plotësisht nevojat për ushqim gjatë periudhës së qëndrimit të detyruar në shtëpi; ndërkohë që papunësia u rrit me 10% dhe 43% e të intervistuarve pohuan se situata e krijuar ndikoi direkt në shitjen e produkteve të tokave të tyre bujqësore.
“COVID-19 përveç sfidave madhore që po vijon të sjell në sektorë si shëndetësia, arsimi, mbrojtja sociale etj, ka afektuar dhe do vijojë të afektojë dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve. Ndërsa të rinjtë sot na sfiduan dhe kërkuan të investohet në zonat e tyre në mënyrë që ata mos të shohin emigrimin si zgjidhjen e vetme, duket që e ardhmja e punësimit do jetë duke u lidhur gjithmonë e më shumë me teknologjinë ku inteligjenca artificiale dhe përdorimi dhe menaxhimi i të dhënave, zhvillimi i produkteve teknologjike, shitjet, marketingu dhe përmbajtja digjitale duken se në të ardhmen e afërt do lidhen shumë fort me ekonominë e përkujdesjes dhe shërbimeve dhe “ekonomisë së gjelbër Të gjithë këto terma ngjajnë kaq futuristë, por e ardhmja tashmë është digjitale dhe çështja që do doja të diskutoja sot me ju partnerë të nderuar është se si mund të vijojmë partneritet tona së bashku që mundësi të tilla t’ia sjellim sa më afër këtyre të rinjve që përfaqësojnë 2026 të rinj nga gjithë Shqipëria dhe Kosova, por edhe çdo të ri në Shqipëri dhe Kosovë”- u shpreh drejtoresha e World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën, Eljona Boçe Elmazi, gjatë forumit në pjesën e dytë të festivalit ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor e qendror, agjensive, përfaqësive diplomatike, organizatave të shoqërisë civile dhe biznesit,
Këto ishin temat kryesore ku u fokusuan të rinjtë për të vënë në lëvizje të gjithë aktorët përgjegjës të shoqërisë e duke sjellë në vëmendjen e dy paneleve të diskutimit mekanizma për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje dhe përfshirjen sociale të komuniteteve më në nevojë drejt procesit të rimëkëmbjes.