Kryesore PASOK përfshin shqiptarët në lista, garojnë për në parlamentin grek dhe atë...

PASOK përfshin shqiptarët në lista, garojnë për në parlamentin grek dhe atë europian

Partitë e qendrës së majtë në Greqi zhvilluan në Athinë kongresin elektoral. Për herë të parë në historinë e Greqisë, në zgjedhjet e ardhshme lokale, por dhe ato europiane, PASOK ka zgjedhur që në listat e saj të ketë emigrantë shqiptarë, të cilët tashmë kanë nënshtetësinë greke.

“Është një moment historik për gjithë shqiptarët. Mbas 30 vjetësh, ka ardhur momenti që ne kemi të drejtën të zgjidhemi dhe të zgjedhim. Ne jemi pjesë e këtij momenti historik. Duhet të ndërgjegjësohemi dhe të marrim pjesë e të votojmë masivisht”, shprehet Eda Gemi, që është kandidate për në Parlamentin Europian.

“Është një çast historik, pasi emigrantët do të votojnë kandidatin e tyre. Të jenë të sigurtë që unë dhe kandidatët e tjerë do të jemi zëri i tyre”, thotë Fatos Malaj, kandidat për në parlamentin grek.

Arjana Barjaba një tjetër shqiptare, e cila është pjesë e listave të kandidatëve për këshillin bashkiak të kryeqytetit grek, Athinës.

“Jam e lumtur që marr pjesë në listën e PASOK-ut në zgjedhjet lokale, ku kandidoj për këshillin bashkiak të Athinës. Është një çast historik për shqiptarët, të cilët tashmë kanë mundësi të votojnë. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj”, shprehet Arjana.

Vetëm në bashkinë e Athinës përllogaritet se janë më shumë se 35.000 vota të emigrantëve shqiptarë, ndërsa në Atikë janë më shumë se 120.000 shtetas shqiptarë.

Partitë e djathta greke e kanë akuzuar qeverinë se po jep masivisht nënshtetësi për të huajt, kryesisht shqiptarët, me pritshmëri se në zgjedhjet e ardhshme ata do të votojnë të majtën./TCH