Policia e Shtetit vijon operacionin “Vjeshtë 2017” për të sekuestruar asete kriminale të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Së fundmi, në Vlorë është sekuestruar një gomome me vlerë 150 mijë Euro.
Mjeti lundrues i përket 29-vjeçarit me iniciale A.Ç. nga Elbasani, thotë policia. I riu dyshohet për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë Policia Vlorë do të vijojë punën lidhur me zbatimin e ligjit për vënien para përgjegjësisë ligjore duke sekuestruar të gjitha asetet të cilat rezultojnë të përfituara në mënyrë të paligjshme.