Ka nisur këtë të enjte në Holandë gjyqi për 53-vjeçarin nga Saranda, Thanas Bako, i cili u arrestua në 31 maj 2023 në Athinë, pas një operacioni të policisë greke dhe Europol, si i dyshuar për lëvizjen dhe pastrimin në Holandë të rreth 500 milionë eurove të trafikantëve ndërkombëtarë të drogës.
I konsideruar nga Europoli si personi që pastronte paratë e grupeve kriminale, ai u arrestua pas një hetimi të FBI dhe zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin “ANOM”.
Bako vepronte me porosi të trafikantëve në Dubai e Holandë për të transferuar miliona euro nga një vend në tjetrin.
Prokuroria e akuzon si menaxherin e një rrjeti korrierësh në Holandë, të cilët i drejtonte nga Athina.
Këta korrierë kamufloheshin si punëtorë të zakonshëm, bojaxhinj apo pastrues dritaresh, zakonisht me precedentë të pastër penalë për të mos u vënë re nga autoritetet. Ata përdorën furgonët e tyre për të transportuar miliona euro nga një vend në tjetrin.
Policia zbuloi si korrierët morën ose dërguan çanta të mbushura me para. Herë ishin disa mijëra euro, herë miliona. Sipas Prokurorisë Publike, nën drejtimin e Thanas Bakos janë mbledhur gjithsej mbi 246 milionë euro dhe janë paguar gati 248 milionë euro.
Banka nëntokësore e Thanas Bakos kishte dy “zyra’”. Këto ishin magazina në Wateringen dhe Nieuë-Vennep ku paratë u numëruan dhe u fshehën.
Sipas Prokurorisë Publike, mesazhet e përgjuara tregojnë se Bako ka mbajtur shënim shumën e parave që kanë hyrë dhe kanë dalë.
Në pronësi të kësaj kompanie rezulton apartamenti luksoz i tij në Glifadha ku edhe ku arrestua si dhe disa apartamente të blera në Dafni dhe Ilioupoli. Përmes kësaj kompanie, ai rezulton se kryente pastrim të parave të karteleve të drogës, kryesisht nga Holanda e Belgjika.
Ai rezulton se u jepte udhëzime korrierëve se ku t’i merrnin e çonin paratë dhe duke përfshirë dhe konvertimin në kriptovaluta, kryente pastrimin e tyre dhe transferimin në shtete off shore dhe kryesisht në Dubai.
Autoritetet holandeze kanë mbërritur deri tek emri i Bakos pas shkatërrimit të disa grupeve kriminale, nga komunikimet e të cilave përmes aplikacioneve të enkriptuara, kanë zbuluar një emër të koduar i cili më pas rezultoi të ishte pikërisht sarandjoti 52-vjeçar.