Bota Pastroi 65 milionë euro të kinezëve, shkatërrohet organizata kriminale shqiptare në Spanjë

Pastroi 65 milionë euro të kinezëve, shkatërrohet organizata kriminale shqiptare në Spanjë

Policia spanjolle në bashkëpunim me EUROPOL kanë goditur një organizatë kriminale që trafikonte sasi të mëdha droge dhe pastronte para.

Organizata që dyshohet se drejtohej nga shtetas shqiptarë, ka mbështetur banda të ndryshme ndërkombëtare drogë për të pastruar paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga aktiviteti kriminale.

Gjatë operacionit janë arrestuar 27 persona në zona të ndryshme të Spanjës dhe u sekuestruan sasi të mëdha parash dhe bizhuterish.

Hetimi filloi si rezultat i raporteve të inteligjencës të dërguara nga Europol, falë të cilave u bë i mundur identifikimi i një organizate të përbërë nga shqiptarë, e specializuar për kultivimin e marijuhanës në ambiente të mbyllura dhe trafikimin e saj dhe që së bashku me qytetarë me origjinë kineze kishin formuar një strukturë në të cilën të dy grupet përfitonin avantazhe të ndërsjella.

Gjatë hetimit, agjentët zbuluan se shtetasit kinezë dërgonin në bizneset e shqiptarëve shuma të mëdha parash për të pastruar.

Hetuesit kanë mundur të zbulojnë se në krye të strukturës kriminale ndodheshin dy shtetas shqiptarë, njëri që vepronte si drejtues dhe tjetri si kontabilist.

Gjatë periudhës së hetuar maj 2020 – mars 2021, dërgesa të vazhdueshme dhe të shumta kesh u janë bërë organizatave kriminale shqiptare, në një vlerë totale prej gati 65.5 milionë euro.