Ajo u bë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ende pa kaluar në të gjitha hallkat e vettingut, një sitë që duket se e ka djegur pikërisht në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nuk mundi të kalojë përballë provave të pamjaftueshme për justifikimin e pasurisë së të shoqit.
Seanca gjyqësore publike për Antoneta Sevdarin u zhvillua më 25 shkurt, teksa ishte Komisioneri Publik që kishte apeluar vendimin e shkallës së parë, atë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e konfirmonte atë në detyrën e prokurores prej 18 korrikut të vitit të kaluar.
Pavarësisht kundërshtive të subjektit të rivlerësimit Sevdari ndaj konkluzioneve përfundimtare të paraqitura nga Komisioneri Publik, pasi i konsideronte të pabazuara në ligj dhe në faktet e provuara gjatë hetimit administrativ të KPK-së, ajo u shkarkua këtë të enjte.
Nga ky organ i ri i Reformës në Drejtësi ka ende pikëpyetje mbi fatet e tri anëtarëve të tjerë, Gentian Osmani, Kostaq Beluri dhe Arben Dollapi, pasi edhe ndaj tyre ka ankimime në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik.