Prodhimi dhe shitja ilegale e opiumit konsiderohet si çelësi i suksesit që solli talebanët në pushtet. Por, fuqizimi i tyre në Afganistan ka ardhur gradualisht edhe falë kontrollit që kanë pasur në gjysmën e rajoneve si financimeve nga jashtë. Vetëm në 2020, të ardhurat e talebanëve arritën në 1.5 miliardë dollarë.
Talebanët morën Kabulin, ngritën flamurin e tyre dhe hynë në pallatin presidencial. Synimi i tyre 30-vjeçar për shpalljen e Emiratit Islamik të Afganistanit, po realizohet.
Në Afganistan, talebanët janë parë si armiq të perëndimit, por brenda vendit ata kanë mundur të rezistojnë e të forcohen. Falë klaneve, lidhjes shpirtërore me islamin, por edhe pavarësisë ekonomike, ky grup e mori lehtësisht pushtetin këto ditë.
Afganistani është fusha më e madhe e prodhimit të opiumit në botë, me 90 për qind të sasisë globale, i cili kalohet kontrabandë përmes kufirit dhe shitet përfundimisht si heroinë.
Kjo bimë konsiderohet si çelësi i suksesit për fuqizimin e talebanëve. Prej vitit 2010, ata kanë dyfishuar prodhimin dhe shitjen, duke fituar çdo vit 200 deri në 400 milionë dollarë. Falë këtij aktiviteti, ata kanë fituar besimin e mijëra fermerëve, kanë zgjeruar kontrollin e territoreve, madje kanë sprapsur edhe qeverinë legjitime e misionet e huaja ushtarake.
Por, opiumi është vetëm një mjet fitimprurës. Talebanët kanë gjetur forma të tjera për të gjeneruar para dhe vitin e kaluar ata siguruan 1.5 mld dollarë të ardhura.
Analistët thonë se talebanët vazhdojnë të marrin para edhe nga Pakistani e Irani. Falë këtyre parave, ky grupim është fuqizuar edhe me armë e artileri të rënda.
Në vitin 2017, talebanët kishin nën kontroll 15 milionë njerëz ose gjysmën e popullsisë së vendit dhe sipas NATO-s e inteligjencës afgane, asokohe ishin 25 mijë talebanë të armatosur.