Disa prej kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm zotërojnë pasuri të patundshme dhe llogari bankare deri edhe në shumë të konsiderueshme, ndonjë tjetër ka deklaruar pasuri më modeste.
Arqilea Koça është pronar i 5 apartamenteve që ka shitur ose janë dhënë me qira, pasi në një tokë të tij është ndërtuar një pallat, ndërkohë që ka blerë edhe një sipërfaqe toke të konsiderueshme në Voskopojë.
Ferdinand Elezi zotëron 3 apartamente, 1 në tiranë dhe 2 në Durrës, ndërsa në vite ka shitur dhe blerë disa automjete si dhe ka marrë e shlyer disa kredi së bashku me bashkëshorten.
Besnik Muçi zotëron një apartament të cilin e ka zgjeruar, por në vite ai ka blerë sipërfaqe tokë truall në Tiranë dhe Pogradec.
Edhe Prokurori i Krimeve të Rënda ka detyrime financiare për të shlyer.
Artur Selmani i Prokurorisë së Përgjithshme ka për të shlyer një kredi me afat 25 vjeçar por nga deklaratat e tij të pasurisë të bie në sy se rreth 10 mijë dollarë prokurori i ka fituar në baste sportive në 3 raste.
Granit Shahu ka shlyer një kredi prej 26 mijë dollarësh për blerje banese si dhe posedon edhe një automjet ndërsa në gjendje “cash” ka rreth 1.7 milion lekë.
Arta Marku posedon një pasuri modeste pasi banon në një apartament 55 metra katror, por me marrjen e një kredie së bashku me bashkëshortin kanë blerë edhe një apartament tjetër në vitin 2007.
Prokurorja e Elbasanit, Ermira Tafani ka disa llogari bankare si dhe posedon një biznes që është dhënë me qira ndërkohë që në deklarime nuk mungojnë dhuratat për të nga familjarë të saj.