Ish-kryeministri Sali Berisha, sapo mbërriti në selinë e Partisë Demokratike, foli për mediat, duke deklaruar se “44 000 demokratë vendosën sot, me votën e tyre, largimin e “peng Bashës”.
“Ky ishte votimi më i shkëlqyer, që shkruan një kapitull të ri në historinë e revolucionit demokratik. Ju e shikoni që ky revolucion nuk ka të ndaluar”, u shpreh Berisha.
“Revolucioni nuk ka të ndalur, nuk ka forcë në botë që ta ndalë këtë revolucion. Jemi dëshmitarë të përpjekjeve të turpshme të narkoshtetit kundër këtij akti madhor në historinë e pluralzimit. Mjafton t’iu kujtoj paraqitjet me orë të tëra në studiot televizive të pengmarrësit në favor të pengut të tij. Por asgjë nuk mund të ndalë njerëzit e lirë në realizimin e qëllimeve të tyre.
Nuk ka forcë që pengon dot njerëzit e lirë nga arritja e objektivave të tyre për liri dhe dinjitet, për të ardhmen, forcën e tyre politike dhe shoqërinë shqiptare në tërësi.
Me këtë rast i jap fjalën komisionit që drejtoi referendumin dhe t’i falenderoj. Është i njëjti komision që menaxhoi në mënyrë të përsosur Kuvendin historik të 11 dhjetorit. Dhe po me kaq përgjegjësi, me transparencë absolute menaxhoi referendumin e parë në historinë e një force politike”, tha Berisha.
“Pati fatin e Ramiz Alisë, historia përsëritet”, theksoi Berisha.