Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi presidentit amerikan Donald Trump me rastin e 244 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Po e shfrytëzoj këtë rast, që në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar, t’Ju uroj Ju dhe mbarë popullin amerikan: “Gëzuar 4 korrikun!”, si dhe t’Ju shpreh urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe përparimin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, shkruan presidenti Meta ne mesazhin e vet.
Më tej ai thekson se Shtetet e Bashkuara do t’ia dalin mbanë edhe në betejën kundër pandemisë së koronavirusit, ndërsa falenderon qeverinë amerikane për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Në fund të mesazhit të vet presidenti Meta konfirmon edhe një herë vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne përballimin e sfidave globale.