Sport Pavarësisht Championsit, fati i Allegrit te Juventusi është vendosur

Pavarësisht Championsit, fati i Allegrit te Juventusi është vendosur

“Jam mirë te Juve! Kam edhe një vit tjetër kontratë dhe kemi objektiva të rëndësishëm për të arritur”, ka thënë Allegri, kur është pyetur mbi një largim të mundshëm nga bardhezinjtë në fund të sezonit.

Megjithatë mediat italiane raportojnë se Allegri po kalon muajt e fundit me skuadrën bardhezi, pasi është vendosur tashmë që në fund të sezonit, tekniku t’i japë fund eksperiencës së tij të lavdishme në stolin e Juventusit.

Largimi i Allegrit ishte planifikuar që verën e kaluar, por mbërritja e Cristiano Ronaldos riktheu shpresat për një triumf në Champions te Juventusit, ndaj edhe tekniku vendosi të provojë përsëri, që t’i vërë “qershinë, tortës” së sukseseve të tij në Torino.

12 marsi, data kur edhe do të luhet ndeshja e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, do të jetë mjaft e rëndësishme për bardhezinjtë, që duhet të përmbysin një disavantazh prej dy golash, për të kaluar në çerekfinale.

Nëse edhe këtë herë Juventusi nuk do t’ia dalë në Europë, atëherë do të nisë një minirevolucion, që përveç Allegrit, do të prekë edhe disa emra në skuadër, ndërsa në Torino ka filluar të qarkullojë gjithmonë e më shumë emri i Zinedine Zidane.