Dy prej biznesmenëve më të fuqishëm në vend, Samir Mane dhe Shefqet Kastrati zgjodhën të hyjnë në tregun e televizioneve, duke blerë respektivisht aksionet e TV SCAN dhe Euronews Albania.
Nga Gjergj Erebara – BIRN
Dy biznesmenët më të përfolur në vend për lidhje klienteliste me qeverinë, Samir Mane dhe Shefqet Kastrati, vendosën së fundmi të hyjnë në tregun e televizioneve duke investuar në dy televizione të vogla dhe me humbje.
Grupi Balfin, i cili kontrollohet në masën 100% nga Mane, bleu në mars për 700 mijë euro televizionin SCAN, një televizion i hapur në vitin 2001 nga një grup biznesmenësh të kohës, i cili, sipas bilanceve zyrtare të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka pasur një rezultat kumulativ negativ përgjatë pesë viteve të fundit.
Në vitin 2020, SCAN zotëroi 2.9% të tregut të reklamave të televizioneve kryesore në vend.
Kompania ka njohur injektime të njëpasnjëshme të kapitalit të ri, ndërsa të ardhurat e saj kanë qenë të pakta dhe fitimet kanë munguar. Investimi më i madh u bë në vitin 2009, kur aksionerë të rinj rritën kapitalin e kompanisë nga 105 milionë në 400 milionë lekë. Në fund të vitit 2020, kompania kishte humbje të akumuluara prej 56 milionë lekësh, ndërsa në mars 2022 ajo iu shit grupit Balfin për 700 mijë euro, (afërsisht 84 milionë lekë), gjë që nënkupton se aksionerët fillestarë kanë humbur mbi tre të katërtat e investimit të tyre fillestar. Mane ka interesa komercialë në tregti elektroshtëpiakesh, veshjesh dhe ushqimesh, pasuri të patundshme, turizëm, banka, energji elektrike, minerale, mbledhje borxhesh të këqija, ndërtim, transport dhe arsim privat përmes disa dyzinave me kompani.
Blerja e SCAN nga Mane nuk ishte lëvizja e vetme në këtë treg, i cili në përgjithësi konsiderohet i mbingopur nga pikëpamja komerciale. Kompania nën pronësinë e Shqefet Kastratit njoftoi se ka blerë 60% të aksioneve të kompanisë pronare të kanalit televiziv Euronews Albania. Ajo ka pasur një hyrje të vrullshme në tregun e reklamave, pasi arriti të kontrollojë në vitin e dytë të operimit, viti 2020, 5.3% të tregut me afro 214 milionë lekë të ardhura. Megjithatë, humbjet e akumuluara të kompanisë për vitet 2019 dhe 2020 ishin 59 milionë lekë, ose gati 60% e kapitalit aksioner të paguar prej 100 milionë lekësh. Transaksioni nuk është regjistruar ende në qendrën kombëtare të biznesit, ndërsa Kastrati nuk dha të dhëna mbi vlerën e transaksionit në njoftimin e vet për shtyp.
Kastrati ka interesa në tregtinë e hidrokarbureve, ndërtimit, turizmit, siguracioneve, si dhe kontrollon kompanitë koncesionare të aeroportit të Rinasit dhe të autostradës Rrëshen-Kalimash.
Tregu i televizioneve në Shqipëri dominohet nga Televizioni Klan dhe Top Channel, të cilët të dy bashkë kontrollojnë 63% të të ardhurave totale të tregut.