Partia Demokratike ka anuluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për 11 dhjetorin, ditën e themelimit të saj. Në një njoftim për mediat, selia blu thotë se të gjitha fondet e përcaktuara për këto aktivitete se bashku me kontribute të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj do të shkojnë në ndihmë të personave të goditur nga tërmeti i 26 Nëntorit.
“Solidariteti me të dëmtuarit nga tërmeti dhe mbështetja maksimale për ta është mënyra më e mirë për të përkujtuar data të rëndësishme që shënojnë ngjarjet e Dhjetorit 1990, nga Lëvizja Studentore tek shpallja e pluralizmit dhe lindja e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Që prej tërmetit të 26 Nëntorit Partia Demokratike ka anuluar disa aktivitete kombëtare për t’iu përkushtuar situatës pas tërmetit në terren pranë njerëzve në emergjencë.
Më herët, PD anuloi aktivitetet për 28 Nëntorin, kreu i demokratëve anuloi vizita të parashikuara jashtë vendit ndërsa në Ditën e Rinisë me 8 Dhjetor, të rinjtë e Forumit Rinor e kthyen në ditë solidariteti duke mbledhur dhe shpërndarë ndihma për familjet e goditura nga tërmeti.