Partia e Lirisë zhvilloi një tubim para Prokurorisë së Posaçme si shenjë proteste për burgosjen e ish-Presidentit, Ilir Meta ku u mblodhën disa dhjetëra simpatizantë.
Qytetarët u mblodhën para godinës me disa pankarta ku shkruhej “Ndal burgimeve politike”.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përcolli një mesazh nga qelia i cili u lexua nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja.
Mesazhi i tij ishte i fokusuar në sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se synimi është që të goditet opozita, ndërsa favorizohen pushtetarët dhe “mbron korrupsionin e kryeministrit”. Hetimet ndaj tij, Ilir Meta i konsideron të turpshme dhe të manipuluara.
Ndërkohë në fjalën e tij sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
Ai akuzoi Dumanin si mercenar më të verbër të rilindjes, që sipas tij ka mision persekutimin politik të opozitës.
“Është ky Altin Dumani që shkul një fshat të tërë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje. Është një institucion mashtrues e montues procesesh të rreme me zero fakte e dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës vetëm për llogari të narkomafies. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, lirive, dinitetit njerëzor të çdo shqiptari. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës”.
Në protestë ishin Erisa Xhixho, Tedi Blushi, Petrit Vasili, Lefter Maliqi, Genc Gjokutaj dhe Petraq Milo. Por munguan Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti dhe Agim Nesho. Po ashtu as Monika Kryemadhi nuk iu bashkua protestës ndaj ish-bashkëshortit të saj.
Kësaj proteste nuk iu bashkua aleati Sali Berisha e zyrtarë të lartë të PD por gjithashtu munguan edhe disa eksponentë të vetë PL-së. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se ata ishin të ftuar të merrnin pjesë, por kjo protestë nuk ishte organizuar nga koalicioni. Berisha tha se PD së bashku me PL-në do ta dërgojw çështjen e arrestimit të tij në Komitetin Antitorturë të Këshillit të Evropës.
“Protestën e organizonte Partia e Lirisë. Demokratët kanë qenë të ftuar të marrin pjesë, por nuk ka qenë organizim i koalicionit kjo protestë. Përkundrazi, PD e konsideron rrëmbimin e Ilir Metës dhe keqtrajtimin e tij, zvarritjen dhe goditjen, si një nga aktet më të rënda të torturës publike të regjistruara nga vitet ’50 gjer sot.
Dhe PD, së bashku me PL do e dërgojë këtë rast përpara Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës, në mënyrë që ata që e organizuan këtë akt, të marrin ndëshkim ndërkombëtar. Akt i verbër i hakmarrjes politike e Edi Ramës ndaj Ilir Metës”, tha Berisha.