Partia Demokratike ka dorëzuar 3 padi penale në SPAK për krime mjedisore. Jamarbër Malltezi u shpreh se “përmes korrupsionit, janë shkatërruar pasuri te mëdha natyrore, për rikuperimin e të cilave duhen me dhjetëra vite”.
“Për të ndaluar shkatërrimin e tyre, ne sot do të depozitojmë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion 3 padi penale ndaj zyrtarëve përgjegjës për katrahurën mjedisore në Parkun Kombëtar të Dajtit, në Monumentin e Natyrës “Uji i Ftohtë” në Tepelenë dhe për vjedhjen e fondeve të mjedisit. Blendi Klosi, Zamir Dedej, Edison Konomi dhe Tërmet Peçi duhet të mbajnë përgjegjësi penale për shkatërrimin e pasurive natyrore të vendit. Padia e parë ndaj Blendi Klosit dhe Drejtorëve të tij Dedej dhe Konomi bëhet për kthimin e Parkut Kombëtar Dajt në një gurore masive për interesat e xhepit të zyrtarëve dhe oligarkut të qeverisë “Gjoka Konstruksion”. Parku Kombëtar i Dajtit dhe Monumentet e Natyrës si “Shkalla e Tujanit” (ku sipas ligjit duhen zbatuar masat më të rrepta të mbrojtjes së natyrës) janë kthyer në gurore masive dhe diga. Për të shtuar milionat, Gjoka kthen Parkun e Dajtit dhe monumentet e natyrës në gurore, ndërsa zyrtarët mbyllin sytë, veshët dhe gojën duke lejuar dëm mjedisor dhe vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës”, deklaroi Malltezi.
“Padia e dytë është për drejtorin famoz të Klosit, Zamir Dedej. Ai ka VJEDHUR, përmes shpërdorimit të detyrës rreth 490 mijë euro para publike (deri më sot) fillimisht duke çuar buxhetin e shtetit te shoqata që drejtonte, derisa u emërua drejtor, e më pas në një shoqatë të paregjistruar fare në QKB dhe me NIPT që nuk ekziston! Kjo veç në Absurdistan mund të ndodhë. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i ka me padi të gjitha të dhënat për shkeljen e ligjit. Ky rast është për Guinnes, pasi i ka dhënë një shoqate qindra mijëra euro pa qenë e regjistruar fare në QKB dhe as nuk ka fare NIPT”, shtoi Malltezi.
Ndërsa padia e tretë është “për Tërmet Peçin, kryebashkiakun ilegjitim të Tepelenës dhe sërish për Zamir Dedej që kanë lejuar dhe dhënë leje për ndërtim objekti 6-katësh mu në shtrat lumi dhe mu në monumentin e natyrës Uji i Ftohtë”.
“Ligji për Zonat e Mbrojtura dhe Ligji për Burimet Ujore e ndalojnë kategorikisht këtë gjë. Kufijtë e zonave të mbrojtura nuk mund të lëvizen sipas interesave të xhepit të zyrtarëve të korruptuar dhe për këtë krim mjedisor ata duhet të japin llogari. Të trija këto dosje do të dorëzohen që sot në SPAK! Duhet pak vullnet i mirë që këto krime të hetohen pa u zvarritur, pasi dëmi që po shkaktojnë në mjedis është i jashtëzakonshëm”, tha Malltezi.