Grupi i deputetëve që mbështesin Enkelejd Alibeajn brenda Partisë Demokratike ka mandatuar Gazment Bardhin për të negociuar me palën tjetër, mbështetësit e Sali Berishës, në mënyrë që PD të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
“Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje. Me qëllim diskutimin e çdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës”, thanë ata përmes një njoftimi.
Para mbledhjes së zhvilluar në kryesinë e Kuvendit, një pjesë e mirë e tyre u shprehën absolutisht kundër daljes me kandidatë alternativë, si në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022. “Mendoj dhe gjykoj që do të ketë patjetër kandidatura të përbashkëta”, tha deputeti Bledion Nallbati. “Çdo diskutim tjetër tej këtij objektivi shkon në funksion të Ramës”, u shpreh Arbi Agalliu.
“Një kandidat, absolutisht askush nuk ka më të drejtën ta çojë PD-në në skenarin e 6 marsit. Duhet të përpiqemi të gjithë për një kandidat. Le të diskutojmë brenda dhe të qëndrojmë gjithmonë me interesin më të mirë të demokratëve dhe të opozitës. Opozita dhe demokratët, dhe më gjerë se demokratët, presin një opozitë të unifikuar”, tha Grida Duma.