Kreu i PD-së Lulzim Basha njoftoi dje se ka vendosur t’i propozojë forumeve më të lartë të partisë, aktin ekstrem të djegies së mandateve 24 orë pas protestës në bulevard.
Pas kësaj deklarate, maxhoranca nuk bëri asnjë reagim, veç atij të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali, por gjithsesi nuk flitej për ndonjë veprim të maxhorancës.
Ndërsa ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ndodhet në Kryesinë e Kuvendit nga ku do të zhvillohet edhe një takim me ministrat dhe më pas do të mbledhë grupin parlamentarë të PS-së.
Për djegien e mandateve, në emër të qeverisë reagoi edhe Elisa Spiropali: “Lulzim Basha tha se do digjte qeverinë dhe paska vendosur të djegë opozitën! Sinqerisht nuk do ta dëshironim kurrsesi degradimin e tyre konstant, po në këto kushte, duhet pohuar kjo e keqe e ka një të mirë: Nuk do t’i marrin më rrogat për ta ndotur Parlamentin me baltë e bojë”.
Në nenin 71 të Kushtetutës përcaktohet se mandati i deputetit mund të mbarojë edhe kur hiqet dorë prej tij, pa pritur mungesën për 6 muaj me radhë. Menjëherë pas këtij veprimi, deputeti, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të deklarojë në mënyrë publike vendimin para Komisionit për Rregulloren dhe Mandatet.
Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës, për t’i kaluar mandatin e ndërprerë kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike. Nëse lista e kandidatëve partiakë shterohet, atëherë mandati i ndërprerë i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.