Politika PD e Himarës kundër marrëveshjes Berisha-Dule: Nuk na pyeti askush për kandidaturën...

PD e Himarës kundër marrëveshjes Berisha-Dule: Nuk na pyeti askush për kandidaturën e Petro Gjikurias

Afrovita Dhimojani, kryetarja e degës së PD-së në Himarë

Dega e Partisë Demokratike në Himarë duket se është injoruar tërësisht nga vendimmarrja për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës për zgjedhjet që do të zhvillohen më 4 gusht.

Afrovita Dhimojani, kryetarja e degës së PD-së në Himarë, në një reagim në rrjetet sociale, thotë se si drejtuese e PD në Himarë, u informua si te gjithë qytetarët nga mediat për këtë vendimmarrje politike. Ndërsa thekson se dega e PD-së nuk është as informuar dhe as konsultuar përsa i përket kandidaturës, por është vendosur para faktit publik.

Kryetarja e degës së PD në Himarë thotë se kjo është e padrejtë, pasi shpërfillet lufta dhe angazhimi i degës, pa u konsideruar.

“Të dashur Himariot dhe Himariote!

Ditën e sotme u zyrtarizua kandidatura e Koalicionit BF, z.Petro Gjikuria për zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit.

Si drejtuese e PD Himarë, u informova si te gjithë qytetarët nga mediat për këtë vendimmarrje politike.

Ndjej detyrimin dhe angazhimin për të sjell në vëmendje se ne si degë, nuk jemi informuar e as konsultuar përsa i përket kandidaturës, por jemi vendosur para faktit publik.

Nuk është e drejtë që lufta dhe angazhimi i PD Dega Himarë prej më shumë se nje viti intesiv, të shpërfillet pa u konsideruar, duke luajtur me Himarën dhe fatin e saj.

Konsesusi politik për të diskutuar me bazën kandidaturat potenciale është e vetmja rrugë për të vendosur në vend padrejtësinë e votës Himariote, që u mohua më Datën 14 Maj!

Duke mos e njohur, nuk dua të paragjykoj kandidaturën e zyrtarizuar si një alternativë për më të mirën e Himarës, jemi besimplotë për fitoren e Datës 4 Gusht.

Himara meriton vërtetësi!”, shkruan Afrovita Dhimojani, kryetare e Partisë Demokratike Dega Himarë.