Partia Demokratike vijon të mbetet një ndër subjektet politike më problematike sa i takon transparencës me shpenzimet dhe burimet financiare gjatë viteve zgjedhore dhe jo zgjedhjeve.
Përpos lobimit rus në SHBA në periudhën zgjedhore të vitit 2017, duke fshehur financimin prej 650 mijë dollarë, ku për rrjedhojë është marrë i pandehur Lulzim Basha, Partia Demokratike nuk deklaron pranë organeve kompetence as shpenzimet dhe burimin e financimit të degëve të saj.
Partia Demokratike ka 53 degë në të gjithë Shqipërinë. Çdo degë e PD ka një numër të konsiderueshëm njerëzisht, të cilët ushtrojnë veprimtarinë në bazë të statutit të partisë, me një kosto të caktuar financiare.
Konkretisht, çdo degë e PD ka kryetarin e saj, nënkryetarin, një sekretar, katër sekretarë funksionalë, një bord me këshilltarë, një aparat administrativ si dhe një bord financiar bashkë me kryetarin e tij. E gjithë kjo administratë ka një kosto financiare.
Por sipas raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Partisë Demokratike për vitin 2018, kjo e fundit nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 53 degëve të saj.
Auditimi është krye nga audituesja ligjore Silvana Gjikdhima në 20 maji të 2019, për vitin 2018, shkruan shqiptarja.com. “Partia Demokratike nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime për degët e saj. Ne kemi audituar pasqyrat financiare të PD, të cilat përbëhen nga bilanci kontabël i datës 31 dhjetor 2018, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe pasqyra e flukseve të parave për vitin që mbyllet në këtë datë si shënimet për pasqyrat financiare, përfshirë një përmbledhje të politikave kontabël më të rëndësishme. Sipas opinionit tonë, me përjashtim të parregullsive më sipër, pasqyrat financiare japin një pamje të vërtetë dhe të sinqertë të PD me 31 dhjetor 2018, të rezultatit të saj financiar dhe të flukseve të parave të saj për vitin e mbyllur financiar, në përputhje me kuadrin financiar të raportit të partive politike”, thuhet në raport.