Opozita do të kërkojë një mocion me debat për vjedhjen e fondeve të BE-së, nëpërmjet programit të IPARD. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit, të zhvilluar sot në mesditë në selinë blu.
“Mocion me debat, për abuzimet me fondet e BE, Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë ku duhet të dënojnë vjedhjen e fondeve të BE. E pa ndodhur në asnjë vend tjetër, dhe është në përgjegjësinë e Kuvendit të Shqipërisë, që përmes një Komisioni të posaçëm, të përmbushim çdo kërkesë të Komisionit Europian”, tha kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi.
Gjithashtu, ai sqaroi se janë ngritur edhe 2 grupe punë, një për intimidimin e administratës, pasi sipas tij, po iu bëhet presion për votën dhe një tjetër për ligjin që pronat shtetërore po ia kalojnë privatit.
“Kemi ngritur dhe 2 grupe për intimidimin që ka nisur prej kohësh ndaj administratës, që ata familjarisht të anëtarësoheshin në PS, ndërkohë ka nisur një fushatë e intimidimit të punonjësve për të deklaruar votat të tyre dhe familjarëve të tyre.
Dhe për ligjin e kalimit të pronave shtetërore në dorë të privatit, godina shtetërore janë dhënë familjarëve të deputetëve të PS, që fshihen pas iniciativës që ai Kuvend të miratonte atë ligj dhe do verifikojmë se kush qëndron pas projekteve të mëdha”, përfundoi Bardhi.