Partia Demokratike shprehet e bindur se koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura mund të funksionojnë së bashku pa asnjë problem.
Oerd Bylykbashi tha se koalicioni që përdorim sot është një formë liste e hapur, ku zgjedhësi përcakton fuqinë e secilës parti dhe është e njëjta gjë që po përpiqemi të bëjmë me këtë propozim, edhe pse kryeministri Rama kërkon të mbyllë listën e partive.
“Votuesi cakton partinë dhe kandidatin e asaj partie në një fletë votimi, si për partitë brenda apo jashtë koalicionit. Çdo parti e koalicionet del me emër të veçantë. Është teknikalitet i zgjidhshëm lehtësisht, si në Kosovë. Edi Rama në padijen e tij dhe qëllimin tinzar përdor këtë lidhje vetëm me një qëllim, që të zhdukë koalicionet”, tha Bykykbashi.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi u shpreh se PD propozoi hapjen 100% të listave dhe tani Edi Ramës i ka ikur gjuha.
“Me formulën që propozon Edi Rama, 1/3 e listave zgjidhet nga partitë, ndërsa 2/3, humbësit të zgjidhen nga qytetarët. Kjo do të thotë se 100 deputetë të jenë të paracaktuar dhe vetëm 40 të jenë me listë të hapura. Opozita ka propozuar hapjen 100% të listave, por vota e qytetarëve nuk ka rëndësi për Ramën. Maska e Ramës ka rënë”, tha Bardhi.
Ai theksoi se qëllimi i kryeministrit Rama është ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.
“Pra votat që qytetarët hedhin për të larguar Ramën duhet të prodhojnë mandate për Edi Ramën. Tani si humbës dhe frikacak po përpiqet që të zhbëjë marrëveshjen e 5 qershorit me preteksin e hapjes së listave. Tani që propozuam hapjen 100% Ramës i ka ikur gjuha, teksa cicëronte si bilbil. As ai dhe askush nuk do të mbajnë peng vendin dhe njerëzit që duan ditë më të mira për familjet e tyre”, tha Bardhi.
Ndër të tjera, Bylykbashi publikoi edhe një format flete votimi, duke treguar se në të njëjtën fletë votimi mund të jetë edhe lista e partive në koalicion dhe përbri saj kandidatët për deputetë për të zgjedhur, por me numra dhe jo me emra.
Oerd Bylykbashi tha se ky është shembulli i sistemit në Kosovë.
Pra sipas PD-së, emrat e kandidatëve duhet të jenë të parapublikuar më parë, ndërsa në fletën e votimit të jenë me numra.
“Funksionimi bashkë i listave dhe koalicionet është e zgjidhur lehtësisht teknikisht në kod. Lista e partive dhe një pjesë me numra që korrespondon kandidatit në listën emërore që ka partia të publikuar. Zgjedhësi përzgjedh partinë, më pas me numër kandidatin që ka vendosur. Kjo është një fletë votimi e thjeshtë. Këtë model ka Kosova”, tha ai.
Sipas tij, Rama po projekton në mendjen e shqiptarëve që fleta e votimit do të jetë një libër duke e bërë të pamundur zgjedhjen, kjo nuk është e vërtetë.
“Nëse Rama mendon se do kufizojë të drejtën partive për të garuar, tregon qartë qëllimin e tij”, tha ai.
Bylykbashi tha se fleta e votimit të Kosovës, votohet për parti dhe zgjidhet numri i kandidatit.
“Kjo është pjesë teknike dhe zgjidhet. Por Rama duke hequr koalicionet do të zhbëjë maksimalisht vota shqiptarësh. Edi Rama do që vota për partitë e vogla të bëhet nul. Modeli aktual i koalicioneve është sanksionuar në ligj që në vitin 2003, e kemi marrë nga Italia, e përdor Holanda. Koalicionet parazgjedhore janë ofertë publike e ndershme” tha ai.