Ndërkohë që PS me në krye Edi Ramën fituan plot 74 mandate në zgjedhjet e 25 qershorit, duke siguruar të vetëm mandatin e dytë të qeverisë, PD kërkon sërish që të futet në koalicion me të majtët.
Kërkesa është bërë e ditur nga deputeti i ri i djathtë në qarkun e Shkodres Romeo Gurakuqi.
Në një shkrim të botuar në Panorama, Gurakuqi shprehet se PD është e gatshme që të futet në një koalicion qeverisës me PS, por me kushtin e vetëm që Rama të mos jetë kryeministër.
Ndërkohë që votimi dhe vullneti i popullit, i ka Ramën mundësinë që të jetë vetëm në qeveri dhe të mbajë edhe për 4 vite mandatin e kryeministrit.
Ja një pjesë e shkrimit të Gurakuqit:
- Zgjidhja më e pranueshme për Opozitën dhe për të mirën publike, do të ishte rënia dakord për largimin nga skena e drejtimit të Qeverisë, e Kryeministrit të rrëmujës antiliberale dhe sjellja e “një Qeverie të të gjithë talenteve”, d.m.th. të teknicienëve më të mirë të kombit, që do të merrnin në dorë, me mandat të përkohshëm dhe me konsensus nacional politik, misionin e Reformimit të Republikës, për një qeverisje të re, që i trajton qytetarët të gjithë njëlloj dhe krijon një administratë të mirëfilltë shtetërore. (harrojeni se bëj fjalë për një bashkëqeverisje të Pozitës me Opozitën. Nuk do ta ketë kush asnjë mundësi për të krijuar alibitë e një koalicioni me bazë të gjerë me këtë rast, mbasi përjashtohet në fillesë të këtij diskutimi)…Populli i vendit tim, kam përshtypjen, se nuk mund të durojë më një mandat të ri katërvjecar tallës të Edi Ramës, pavarësisht se dikush mund të thotë se ai i fitoi zgjedhjet: doni të dini se kush janë luogotenentet e tij, vetëm në një qark, që administruan kontrollin dhe shpërndarjen e votave për se paku dy mandate?! Shumë e thjeshtë: filloni dhe lexoni një herë raportet në terren të organizmave ndërkombëtare.
- Skenari i dytë, është ai që po përgatit Edi Rama: një Qeveri socialiste e re, një opozitë që futet vetvetiu në Parlamentin (sipas mendjes së tij) e fiksuar me numrat e kanabisit, që formulon strukturën e pluralizmit fasadë. Është ky vijimi i lojës pararendëse, me një kupolë të drejtimit të Shtetit, Qeverisë dhe Parlamentit, që projektohet sërish nën darën e ngushtë të një krahine, tre fshatrave të thella malore, nga të cilat do të vazhdojnë të burojnë, përmes “betimit të besnikërisë”: të gjithë ministrat, drejtorët e policisë, drejtorët e ndërmarrjeve të prodhimit të naftës, kontrollit financiar shtetërore, doganave dhe tatimeve, drejtorët e drejtorive të MPJ-së dhe ambasadorët, drejtuesit e të gjithë departamenteve të ministrive dhe degëve të administratës së lartë. Prej tyre do vijojnë të shpërndahen fondet e buxhetit, projektet, me të njëjtën “metodologji”, sikurse në katër vitet e shkuara, diskriminuese dhe shkatërrimtare për Shqipërinë e Veriut. Dhe kjo që donë të bëjë Edi Rama, nuk është Shteti shqiptar që duam, mbasi nuk përngjason me Shtetin e lënë amanet nga themelonjësit; madje është përkundër konventave kushtetuese, që imponojnë respektimin e balancës krahinore në drejtimin e pushteteve, të administratës dhe të shpërndarjes së të ardhurave drejtë dhe logjikshëm në territor.
- Skenari i tretë, që do ta quaja një opsion kompromisi, është një Qeveri socialiste pa Edi Ramën Kryeministër, por me një figurë të mirëfilltë intelektuale, progresiste dhe reformatore, të palidhur me lobet dhe lobistët e netëve të vona periferike, që kanë peshuar aq shumë mbi jetën e shqiptarëve në katër vitet e shkuara, për shkak të turbullimit që i kanë bërë mendjes së kryeqeveritarit të paditur dhe të pamësuar me administrim. Mandati kohor i kësaj Qeverie do të ishte në varësi të implementimit të reformave konstitucionale dhe politike të parashikuara në skenarin 1, dhe që kanë të bëjnë me kthimin e qeverisjes në Shqipëri, nga një qeverisje tavash, në një strukturë serioze administrative të qytetarëve. Por ky skenar i tretë, do të kërkonte vendosjen e kontrollit të Parlamentit në dorën e një Speaker-i të paanshëm, të palidhur me militantizmin e së majtës komuniste, tek i cili Opozita beson. Po ashtu, për garantimin e vijimit të besueshëm të Reformës në Drejtësi, nga komisionet e vettingut duhet të largohen të gjithë anëtarët e mazhorancës së majtë, që kanë bërë në katër vitet e shkuara, spastrime dhe prozhmime politike në administratë.