Kuvendin e 18 dhjetorit Lulzim Basha e cilësoi si shkëputje nga e kaluara. Në një fjalim 60-minutësh, Basha i kërkoi demokratëve të mbështesë linjën e tij e jo të Berishës, duke parashtruar si argument kryesor ambicien e demokratëve, rikthimin në pushtet. “Fitorja nuk mund të vijë kurrë duke pasur një “non grata” në radhët tona dhe as duke nënshtruar dhe kthyer gjithë partinë në “non grata” për fatin e një personi”, tha Basha.
Akuzat si komunist ia kujtoi sërish Berishës duke thënë prerazi se do t’i ndajë demokratët nga kultura enveriste.
“Ne duhet të ndahemi nga kultura enveriste, manifestimin e të cilës në mënyrë sintetike e pamë si një film me xhiro të shpejtë këto 90 ditë, deri në tubimin e paligjshëm të 11 Dhjetorit ku u krijua organizata e parë antiamerikane në hapësirën shqiptare. E cila nuk ka si qëllim kthimin e demokracisë, por ngritjen e një muri për të penguar erën e re që po fryn nga perëndimi”.
Shkëputja nga e shkuara për kryedemokratin vjen në dy drejtime kryesore. “Do të jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj duke mos lejuar në radhët tona dhe në ekipet drejtuese njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare. Nuk do të lejojmë njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme që ka qenë diktatura e Enver Hoxhës. Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD-së, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë”.
Basha pranoi se ai është pjesë e fajit duke pretenduar se në tetë vjet ka pasur një dualizëm në drejtimin e PD-së ndërmjet tij dhe Berishës. PD-ja e re e Bashës nis duke kthyer paqen me Amerikën.
Duke përdorur një citim të Sali Berishës, Basha shënoi një tjetër ndarje me filozofinë e tranzicionit, ndërsa tha se “nuk ka më bashkëfajtorë e bashkëvuajtës”.
Në betejën e tij, Basha tha se është i vendosur jo vetëm për të larguar Sali Berishën por edhe Edi Ramën e Ilir Metën.
“Partia Demokratike është e vendosur në shkërmoqjen e trekëndëshit të Bermudës dhe prodhimit të saj të fundit politik, regjimit të Edi Ramës përmes masakrës zgjedhore”.
Kuvendi Kombëtar shpalli nul vendimet e marra në Kuvendin e 11 Dhjetorit si dhe votoi krijimin e Aleancës Qytetare për Demokracinë si partnere e Partisë Demokratike.