Partia Demokratike është mbledhur sot në selinë blu nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka dhe me adresimin e Sali Berishës nga shtëpia e tij, ku po qëndron i izoluar me vendim të Gjykatës së Posaçme që prej 30 dhjetorit.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Kryesisë përmes një lidhje në Skype, Berisha bëri një rezyme të sfidave që PD ka kaluar në vitet e fundit dhe vlerësoi faktin që palët janë bashkuar.
“Mblidhemi në një moment vendimtar të historisë së PD. Mblidhemi në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë, por sot ajo është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht se parashikimet ose përpjekjet e hapëta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej. Të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të s’postohej aksi i programit të saj.”
Një nga porositë kryesore të ish-kryeministrit për të vetët ishte që të sqarohen mbështetësit demokratë dhe qytetarët se Kodi i Ri zgjedhor që u votua me shumicë votash në Kuvend nuk lidhet me problematikat e mëdha të zgjedhjeve që PD ka denoncuar ndër vite.
“Kemi hyrë në një vit elektoral. Kjo që duhet të zgjidhim ne, ky problem madhor u trashëgua nga zgjedhjet në zgjedhje. Nga 35 dosje me rreth 1 milion faqe që kanë ardhur nga vendet partnere vetëm 4 prej tyre janë shqyrtuar. Po edhe këto 4 kanë mbi 50% të të gjitha bisedave, krimeve në rrafsh elektoral. Ne jemi në vit elektoral dhe hyjmë në një kohë kur asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODHIR nuk është pranuar të shqyrtohet nga Edi Rama. Ju lutem shumë të sqaroni çdo anëtar dhe anëtare e qytetar tonin se ajo që votuam në Parlament nuk ka asnjë lidhje me problematikat e mëdha të zgjedhjeve, të cilat kanë rrënuar barazinë e zgjedhjeve.”
Pas mbledhjes së Kryesisë, PD ka caktuar drejtuesit e kësaj force politike në 12 qarqe.
Drejtuesit e 12 qarqeve janë përkatësisht kështu:
Tiranë, Belind Këlliçi
Durrës, Oerd Bylykbashi
Lezhë, Agron Gjekmarkaj
Kukës, Flamur Noka
Fier, Gazment Bardhi
Elbasan, Ervin Salianji
Korçë, Ivi Kaso
Berat, Eno Bozdo
Vlorë, Bujar Leskaj
Gjirokastër, Tritan Shehu
Shkodër, Luçiano Boçi
Dibër, Xhelal Mziu