Politika PD ngushton diferencën me PS në Durrës, LSI me zero deputetë

PD ngushton diferencën me PS në Durrës, LSI me zero deputetë

Sondazhi i katërt i MRB i organizuar për Euronews Albania tregon se nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, atëherë gara mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike në Qarkun e Durrësit do të ishte shumë e fortë.

Të pyetur se cilën parti politike do të votonin, 41.1% e qytetarëve janë shprehur në favor të PS, ndërsa 38.2% janë shprehur pro PD duke bërë që diferenca të jetë vetëm 2.9%. Nga ana tjetër, për LSI janë shprehur 5.1% kurse votë për forca të tjera politike kanë deklaruar 4.6%.

Nga të pyeturit, 7.4% janë ende të pavendosur se cilën parti do të mbështesnin, 2.4% thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje kurse 1.2% kanë refuzuar që të bëjnë të ditur se për cilën forcë do të shkojë vota e tyre.

Prirja e votës:

PS – 41.1%

PD – 38.2%

LSI – 5.1%

Krahasuar me sondazhin e kaluar, PS ka një rënie nga 43.3% në 41.1%, kurse për PD ka pasur një rritje nga 36.9% në 38.2%. Në Durrës, krahasuar me mbështetjen që gëzojnë dy partitë e mëdha në sondazhin kombëtar, PD del me gati 3% më shumë ndërsa PS me 2% më pak.

Nisur nga përgjigjet dhe analiza e kryer dhe për votuesit e papërcaktuar përmes pyetjeve specifike, rezultati i zgjedhjeve parashikohet të jetë 46.2% për PS, 42.9% për PD dhe 5.7% për LSI, ndërsa 5.2% e votave do të shkojnë për parti të tjera.

Nisur nga projeksioni i sondazhit të fundit, 14 mandatet e Qarkut të Durrësit do të ndaheshin në mënyrë të barabartë mes PS dhe PD.

Ndarja e mandateve:

PS – 7 mandate

PD – 7 mandate

Krahasuar me projeksionin e sondazhit të parë, ka një ulje të diferencës mes PS dhe PD nga 7.2% në 3.3%. Për LSI ka një rënie nga 6.1% në 5.7%, ndërsa partitë e tjera janë rritur nga 2.9% në 5.2%.

Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 ishte 8 mandate për PS, 4 për PD dhe 2 për LSI, e cila në zgjedhjet e kaluara siguroi në këtë qark gati 15% të votave.

Metodologjia

Për realizimin e sondazhit në Qarkun e Durrësit kanë realizuar 425 intervista ballë për ballë dhe këto intervista janë kryer gjatë periudhës 27 mars – 31 mars. Të gjithë të intervistuarit janë persona mbi 18 vjeç me përkatësi gjinore 49.8% meshkuj dhe 50.2% femra.