Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë kërkesë për mbledhje urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Në shkresën zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, thuhet se vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit Tiranë për 1 vit heqje lirie ndaj deputetit Ervin Salianji cenon mandatin e tij.
“Me një akt hakmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një çështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.”
Më tej, theksohet se pa autorizim të Kuvendit, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e Salianjit.
“Sipas nenit 73, pika 2, deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.”
Duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore sipas demokratëve, kërkohet pa vonesë mbledhja urgjente.