Aktivistja e Partisë Republikane në SHBA, Evi Kokalari, në krah të Sali Berishës, në “Foltoren” e Durrësit u shpreh se ish-kryeministri është përjashtuar nga Grupi Parlamentar për shkak të dosjes së Lulzim Bashës për lobimin në SHBA.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Demokrati. Selia blu duke e cilësuar Kokalarin një spekulante, thotë se nesër do ta padisim për shpifje
“Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.
Riciklimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën”, deklaroi PD.
Cfarë deklaroi Evi Kokalari? “Zoti Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi është këmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë. Kjo është e vetmja arsye pse është përjashtuar Sali Berisha,” tha Kokalari.
Më tej ajo mohoi se ajo nuk do të bëhej kurrë kryetare e PD, duke iu përgjigjur akuzave që i janë bërë ditët e fundit. Kokalari tregoi dhe detaje nga dosja e Lulzim Bashës në SHBA.
“Në një periudhë të shkurtër kohe, çfarë më ka bërë përshtypje, është që brenda 3-4 muajsh PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë. Është shumë. Një pjesë e këtyre parave, sepse Lulzim Basha nuk donte që të merrej vesh në Shqipëri se nga kishin ardhur, vendosi të përdorë një kompani me origjinë rusë, që bëri kontratë me një firmë lobimi në Amerikë, sikur ata po bënin një konsulencë për organizatat shqiptaro-amerikane që do investonin në Shqipëri. Kjo është ilegale në Amerikë”, tha ajo.