Parlamenti Evropian ka miratuar me shumicë dërrmuese të eurodeputetëve draft-rezolutën që mbështet dhënien sa më shpejt të statusit kandidat për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Krahas dënimit të sulmit rus në rezolutë në pikën 35 të shprehet keqardhja për Serbinë që nuk iu bashkua vendeve të BE-së me sanksione ndaj Moskës dhe falenderohen vendet e tjera të rajonit që e ndërmorën këtë hap.
Votimi pro kësaj rezolute erdhi pas një fjalimi emocionues të Presidentit Zelensky dhe akuzave ndaj Rusisë për agresion ndaj vlerave evropiane. Duke u shfaqur në lidhje me video ndërsa ushtria ruse vazhdon sulmin e saj, Zelensky i bëri thirrje Evropës të provojë se e mbështeti vendin e tij duke e lejuar atë të anëtarësohet në BE.
“Ne po luftojmë për të drejtat tona, për liritë tona dhe tani po luftojmë për mbijetesë. Ne po luftojmë gjithashtu për të qenë anëtarë të barabartë të Evropës. Provoni se jeni me ne. Provoni se nuk do të na lini të shkojmë. Provoni se jeni vërtet evropianë. Dhe pastaj, jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën. Lavdi Ukrainës.”
Zelensky u përlot teksa përshkruante vuajtjet që po përjetojnë banorët e Kievit, Kharkivit e të tjera qyteteve ukrainase, ku ka pasur një numër të lartë viktimash te pafajshme. Presidenti i Këshillit Europian Charles Mishel e konsideron çështje delikate kërkesën e Zelensky-t për ta anëtarësuar Ukrainën me procedura të shpejta.
“Anëtarësimi është një aspiratë e hershme e Ukrainës, brenda BE-së. Ne jemi shumë të ndjeshme për zgjerimin. Komisioni Europian do të pranojë zyrtarisht kërkesën, ndërsa pas konsultimeve i takon Këshillit të vendosë”, tha ai.
Bërja anëtare e bllokut është një procedurë komplekse dhe Ukraina nuk është aktualisht një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE. Ndërkohë, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja s’do ta lejojë kurrë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, që ta shkatërrojë Ukrainën.
“Brenda Ukrainës, kanë filluar vdekjet e njerëzve të pafajshëm, burra, gra, e fëmijë po vdesin sepse presidenti Putin ka vendosur që shteti i tyre, Ukraina s’ka të drejtë të ekzistojë dhe ne s’do ta lejojmë kurrë, kurrë që kjo të ndodhë, dhe kurrë, kurrë s’do ta pranojmë këtë”.
Presidentja e Komisionit Europian, e ka përshkuar situatën në Ukrainë si një betejë midis “sundimit të ligjit dhe armëve”.
Ursula von der Leyen paralajmëroi se BE-ja nuk do ta pranojë kurrë pikëpamjen e Rusisë se Ukraina nuk është një shtet sovran dhe dënoi agresionin e Presidentit Putin. Ajo tha se ndërsa Moska kërkonte të përçante komunitetin ndërkombëtar, në fakt ka bërë të kundërtën, pasi sipas saj Europa tani është më e bashkuar se kurrë.