Parlamenti Europian miratoi të enjten një rezolutë ku theksohet se ishte gabim mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në rezolutë thuhet gjithashtu se të dy shtetet i kishin plotësuar kërkesat për të nisur bisedimet. Rezoluta u miratua me një shumicë dërrmuese votash pro, 412, ndërsa 136 ishin kundër dhe 30 eurodeputetë abstenuan.
Parlamenti shprehu zhgënjimin e thellë për dështimit e liderëve të Bashkimit Europian për të rënë dakord në samitin e 17-18 tetorit.
“Deputetëve u vjen keq për qëndrimin e Francës, Danimarkës dhe Holandës për të bllokuar vendimin pozitiv dhe thonë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme në vitet e fundit për të plotësuar kriteret për të nisur bisedimet për anëtarësim.
Vlerësojmë Maqedoninë e Veriut për përpjekjet për të zgjidhur problemet dypalëshe me vendet fqinje si dhe Reformën në Drejtësi të ndërmarrë në Shqipëri.
Parlamenti thekson se mos marrja e një vendimi nga liderët e BE ishte një gabim strategjik, që dëmton besueshmërinë e unionit dhe dërgon mesazhe negative të shtetet e tjera kandidate të mundshme. Gjithashtu do të lejojë aktorë të tjerë të huaj, aktiviteti i të cilëve nuk përputhet me vlerat dhe interesat e BE, që të angazhohen më shumë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin për shtyp të Parlamentit Europian.
Deputetët i bënë thirrje vendeve anëtare të unionit që të sillen me përgjegjësi kundrejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të marrin një vendim pozitiv unanim në mbledhjen e ardhshme.