I denjë për filma aksion, historia e Davide Pecorellit vazhdon të intrigojë mediat italiane por edhe shqiptare. 45-vjeçari italian sajoi vdekjen e tij, duke djegur makinën në Pukë dhe më pas u zhduk për 8 muaj me radhë.
Borxhet dhe situata e vështirë financiare, nga sa mësohet deri më tani, kanë qenë shkaqet që detyruan Pecorellin të inskenojë të gjithë këtë situatë.
Gazeta italiane “La Nazione” shkruan se për disa kohë Pecorelli ka qëndruar në Vlorë. Ai kishte zgjatur flokët, i kishte lyer biond (siç duket në foto) dhe kalonte kohë me banorë të zonës ku qëndronte në Vlorë. Atyre iu ishte prezantuar me emër tjetër dhe u kishte thënë se ishte shkrimtar. E kështu kalonin ditët e tij; plazh, dreka e darka me shoqëri. Me pak fjalë bënte atë të cilën e quajmë “Dolce Vita” (jetë e ëmbël).
Mirëpo, pas Vlorës biznesmeni italian ishte larguar drejt Italisë. Gazetarja Rachele Campi raporton se Pecorelli besonte në një legjendë të lashtë dhe kërkonte një thesar. Ai kërkonte thesarin e murgjve të San Mamiliano në ishullin Montecristo.
Gjetja e këtij thesari do ta ndihmonte atë të kthehej i pasur tek familja e tij dhe të shlyente borxhet e biznesit.
Ky fakt konfirmohet edhe nga gjetja e disa sendeve në dhomën e tij të hotelit në Giglio. Aty u gjetën harta të ishullit, thasë të zbrazët, çanta e shpinës me vegla të ndryshme.
Të gjitha këto i bënë hetuesit të besojnë se Pecorelli ishte gjuetar thesaresh. Por pavarësisht dyshimeve të prokurorëve, vetë Pecorelli u rrëfye dhe i tha të gjitha përpara hetuesve të Perugias.
Davide Pecorelli u zbulua rastësisht për shkak të avarisë që pësoi në mes të detit gomonia që kishte marrë me qira me identitet të rremë. Ai u detyrua të kërkonte ndihmë nga autoritetet dhe atyre iu prezantua me emrin e vërtetë. Nga ai moment, e gjithë aventura e tij mori fund.