Pedagogët në Universitetin e Tiranës kanë bojkotuar mësimin këtë të hënë, në ditën e parë të nisjes së procesit mësimor.
Prej javësh ata kërkojnë rritje të pagës me 50 për qind, pasi siç shprehen pagat aktuale nuk ua mundësojnë kërkimin shkencor.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha për mediat se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave.
Ai theksoi se protestat do të jenë të përditshme përballë Politeknikut për t’u zhvendosur përballë qeverisë.
Kovaçi u shpreh se kanë të gjithë mbështetjen e studentëve pasi interesat në këtë protestë janë të përbashkëta.
“Studentët kanë mbështetur grevën e pedagogëve, qëllimi është i përbashkët. Duam që qeveria të kthejë sytë nga universiteti. Fjalën e fundit duhet ta thotë kryeministri, nuk mendojmë që përmes ministres Kushi mund të përmbushim kërkesat tona”, u shpreh pedagogu.
Më 5 tetor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se qeveria ka vendosur që pagat e pedagogëve të rriten me 15 për qind, nga të cilat 7 për qind do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
“Universitetet me autonominë që gëzojnë mund të propozojnë rritje mbi kufirin minimal, të cilën mund ta mbulojnë me të ardhurat e tyre”, u shpreh ministrja.