Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Enver Roshi, njëkohësisht pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, i specializuar në Shëndetin Publik, i jep përgjigje pyetjes së përse Shqipëria pati më pak raste të prekurish me Covid19, krahasuar me vendet e fqinje.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Roshi vlerëson moshën mesatare në Shqipëri, por dhe sistemin e vaksinimit të trashëguar që nga periudha e komunizmit, kur ai ka shërbyer në Shëndetin Publik. “Shqipëria është në avangardë të vendeve më të mira në Europë, sa i takon sistemit të vaksinimit. Në Shqipëri sot bëhen 10 vaksina të detyrueshme. Kjo është një arritje e madhe”, shprehet Roshi në intervistën e tij. Duke vlerësuar vaksinën e turbekulozit, ku e gjithë popullata e ka bërë, Roshi shprehet se nuk është e nevojshme një dozë tjetër e saj, që do ta mbronte edhe më shumë popullsinë nga infektimi me koronavirus.
Si e shpjegoni faktin që vende si Shqipëria, Maqedonia, Portugalia apo dhe pjesa e ish-Gjermanisë Lindore e kanë kaluar më lehtë pandeminë e Covid-19, sa i takon numrit të të prekurve, por dhe viktimave? A ka lidhje kjo me politikat e vaksinimit që Shqipëria ka ndjekur?
Ka një teori që pranohet deri diku dhe që e shpjegon këtë përhapje me vaksinimin kundër turbekulozit, ku thuhet se ata që kanë bërë vaksinën e turbekulozit janë më rezistentë ndaj Covid-19 dhe këtë e lidhin me Portugalinë, që ka raste të pakta, edhe pse është një vend fqinj me Spanjën, por dhe vendet e Lindjes në përgjithësi. Megjithatë kjo do kërkonte një investigim më të gjerë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këto vende lidhur me vaksinimin dhe a është vaksina e turbekulozit shkak i këtij trendi. Edhe OBSH thotë se duhet të jemi të matur në shpjegimin e kësaj dukurie, sepse nuk e ka aprovuar në esencë këtë gjë. Edhe pse e ka marrë në shqyrtim, nuk e ka përcaktuar zyrtarisht këtë lidhje, që vaksina ndaj turbekulozit të mbron nga Covid-19. Nga ana tjetër, fakti që në Shqipëri kemi një numër të ulët të rasteve, ka të bëjë dhe me grupmoshat që ai prek. Struktura e piramidës së popullsisë shqiptare ndryshon ndjeshëm nga struktura e popullsive të vendeve të tjera perëndimore, më së shumti.
Përse e thoni këtë?
Sepse popullsia e Shqipërisë mbi moshën 65 vjeç është 14%. Ne dimë se koronavirusi prek rreth 20 për qind të popullsisë dhe mosha mbi 65 vjeç korrespondon me 400 mijë banorë, sipas shifrave të INSTAT-it. Nëse këtë pjesë të popullsisë do ta shpërndajmë për çdo qark, i bie që në zonat urbane të jetojnë rreth 270 mijë njerëz të moshës mbi 65 vjeç dhe 130 mijë jetojnë në zonat rurale. Duke ditur se fshati nuk ka dendësinë e qyteteve, ka një distancë sigurie mes shtëpive dhe punëve të tyre, kjo bën që kontakti dhe përhapja e virusit në fshat të jetë shumë e ulët. Një faktor shumë i rëndësishëm janë dhe masat në kohë, që mori qeveria, për të këputur zinxhirin e përhapjes së këtij virusi të panjohur dhe të pastudiuar mirë. Nëse do të kemi parasysh që rasti i parë në Shqipëri është diku nga 9 marsi, e menjëherë nisën masat e distancimit, dhe një javë më vonë u shpall emergjenca ndaj këtij virusi, ky distancim bëri të mundur minimizimin e tendencës së përhapjes masive të këtij virusi me pasojë uljen e kërkesës së lartë të shtrimeve në spitale. Nëse ne do të arrinim kurbën epidemike të sëmundjes, siç është kurba Gaussi, ku kambana është shumë me majë dhe të dyja anët e saj afrohen rreth qendrës. Pa këto masa, në Shqipëri do të kishim kurbën e Gaussit, do të kishim kërkesa shumë të larta për shtrime të spital, për reanimacion dhe intubime e kjo do ta kishte futur në kolaps sistemin shëndetësor, me pasojë dhe numër të lartë vdekjesh. Nga ana tjetër, kjo do të sillte imunizim më të lartë të popullatës, por edhe riskun se jo të gjithë do t’ia dilnin me sukses kësaj beteje. Masat e marra sollën një kurbë të shtypur me dhëmbëzime, me luhatje të lehta, por asnjëherë me kulme. Kjo ka sjellë që kërkesat për shtrime në spital të jenë të pakta dhe të përballueshme. Në vendet e tjera si Italia, Franca, Spanja apo Britania e Madhe, sistemi shëndetësor kaloi në kolaps me pasoja të rënda edhe në personelin shëndetësor.
Në lidhje me vaksinimin, mosha nën 30 vjeç, kur vaksina e turbekulozit është bërë vetëm një herë, është më e rrezikuara, krahasuar me ata që kanë lindur para viteve 2000 dhe që e kanë bërë me disa doza?
Ky virus ka veçori shumë të ndryshme nga shumë viruse të tjerë. Ky virus i prek të gjitha moshat, veçanërisht moshat e vjetra, sepse tek ata bie imuniteti. Por moshat e vjetra kanë dhe sëmundje shoqëruese, duke e rritur me 14 herë mundësinë për t’u prekur. Në Itali, mosha mesatare e atyre që kanë humbur jetën është 80 vjeç.
Sipas jush, kurba e përhapjes së infeksionit do të vazhdojë e shtrirë për një kohë të gjatë?
Kjo kurbë e dhëmbëzuar, por e shtypur, pa kulm. Ishte parashikuar që brenda prillit, kurba të ulej ndjeshëm, por në Shqipëri ka një gjë karakteristike, ka vatra të sëmundjes, siç janë fasonët apo burgjet, dhe janë pikërisht në to edhe shpërthimet. Kam frikë se me nisjen e lëvizjes së lirë, nisur dhe nga natyra jonë neglizhente, do ta lëshojmë vigjilencën, duke rrezikuar një valë tjetër goditëse, atë që thotë shpesh dhe OBSH kujdes me lirimin e masave, sepse mund të na kthehet një valë e dytë goditëse.
Ju merreni dhe me pjesën studimore të virozave, duke qenë se jeni dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Si i ka përballuar Shqipëria epidemitë e mëparshme, kam parasysh këtu gripet aziatike të 1957, 1968?
Në shekullin XX, epidemia më e rëndë ka qenë ajo e gripit spanjoll, e viteve 1918-1919, ku humbën jetën nga 25 deri në 50 milionë vetë dhe pastaj vijmë te gripi i 1969, i cili ka qenë një grip shumë i rëndë dhe me shumë pasoja. Sot, Globi është nën një stres të madh, për shkak të komunikimit shumë të shpejtë të informacionit, gjë që nuk ka qenë gjatë epidemive të kaluara. Po ashtu, klima ka ndryshuar, dora e njeriut ka shkatërruar mushkëritë e botës, ku dimë se pyjet ruajnë ekuilibrin global të oksigjenimit të jetës në tokë, ka ndihmuar në shfaqjen e viruseve shumë të rrezikshme që më pas pësojë dhe mutacione. Viruset e sotme nuk janë njëlloj si viruset e gripit. Për gripin ka një vaksinë që bëhet masivisht çdo vit. Nga epidemitë e 1969, në Shqipëri nuk ka të dhëna shumë, por ka pasur izolime të strukturave masive, si mbyllje të shkollave, konvikteve etj., dhe izolime zonale. Atëherë Shqipëria nuk ka pasur hapje me botën dhe kjo e ka ndihmuar në një kuptim që të mos përhapej, në mënyrë që situata të dilte jashtë kontrollit. Por sistemi shëndetësor në atë kohë ka qenë në këmbë. Instituti i Shërbimit Publik, infeksionistët, vaksinatorët, që janë heronjtë e heshtur të sistemit shëndetësor, puna që bëjnë këta njerëz është shumë voluminoze, shumë e madhe e pa vlerësuar nga shteti, nga shoqëria dhe e papaguar. Këtu në Shqipëri vlerësohet më shumë një kirurg plastik që bën rregullime estetike te një njeri dhe nuk vlerësohet puna e infeksionistit apo e vaksinuesit, të cilët shpëtojnë jetë njerëzish në mënyrë masive. Unë i kam kërkuar qeverisë që këta mjekë të paguhen për shkallë të lartë vështirësie. Në vitin 2011-2012, Infektivit iu hoq shkalla e vështirësisë në pagesë, ndërsa ne konstatojmë se 10% e të prekurve nga koronavirusi është personel shëndetësor, pra mjekë të infektivit dhe shëndetit mjekësor. Jo vetëm kaq, por infektivit iu pakësua edhe godina ku kryente shërbimin, duke ia dhënë shërbimeve të tjera.spitali-infektiv-1-770×445
Meqenëse ka të dhëna pozitive për rolin e vaksinës kundër turbekulozit, aktualisht një dozë vaksinimi kundër turbekulozit i popullsisë do ta ndihmonte situatën për të shmangur rrezikshmërinë e koronavirusit?
Nuk do ta ndihmonte, sepse e gjithë popullata është vaksinuar ndaj turbekulozit. Dhe unë them se një ndër arritjet më të mëdha të sistemit shëndetësor ndër vite dhe që është trashëguar nga kaluara, nga koha e komunizmit, është sistemi i vaksinimit. Shqipëria është në avangardë të vendeve më të mira në Europë, sa i takon sistemit të vaksinimit. Në Shqipëri sot bëhen 10 vaksina të detyrueshme. Kjo është një arritje e madhe. Nuk ka një dozë rikujtese të vaksinës së turbekulozit./Panorama