Suksesi i Chelseat në Europa League gjatë mesjavës solli festën e mijëra tifozëve londinezë që kishin ndjekur ekipin në stadiumin e Bakusë, apo përmes ekranit të vogël. Por, mes “bluve” kishte një futbollist më shumë se të gjithë, me një motivim ekstra për të festuar.
Pedro Rodriguez Ledesma, sulmuesi spanjoll që arriti të shënonte në finalen e turneut kontinental, është bërë futbollisti i parë dhe i vetëm deri më tani që ka fituar çdo trofe të mundshëm ku ka garuar. Tre Champions League, 3 Superkupa europiane, dy Botërorë Klubesh, 5 tituj në La Liga, 3 Kupa Mbreti dhe 3 Superkupa në Spanjë, të gjitha këto vetëm me fanellën e Barcelonës.
Botërori dhe Europiani me Kombëtaren spanjolle janë gjithashtu në “palmares”-in e artë të lojtarit.
Futbollisti iberik ka arritur të shtojë dhe një titull në Premier League, një Kupë të Anglisë dhe Europa Leaguën së fundmi me Chelsean. Trofetë pa fund të Pedro Rodrigez e bëjnë të pakrahasueshëm edhe me gjigantët e së kaluarës, edhe pse ndoshta spanjolli mund të jetë prapa në mesatare finalizimi dhe në bagazhin teknik.