Niko Peleshi ka marrë sot detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Në fjalën e tij, Peleshi tha se do ta kryejë këtë detyrë me devotshmëri dhe garantoi aleatët se Shqipëria nuk do të jetë vetëm faktor stabiliteti.
Peleshi njoftoi se ka filluar dialogu me NATO-n për bazën e Pashalimanit, ndërkohë që shprehu angazhim maksimal edhe për bazën e Kuçovës.
Një rëndësi të veçantë, Peleshi tha se do t’i kushtojë edhe edukimit të Forcave të Armatosura.
“Do ta kryej këtë detyrë me devocion dhe atdhedashuri. Viti i fundit ka qenë shumë i vështirë, por gjatë këtij viti sprove ju keni treguar që Forcat e Armatosura kanë një profesionalizëm të admirueshëm, të denjë për një vend anëtar të NATO-s. Sot përulem para ushtarakëve që dhanë jetën në krye të detyrës në misionet paqeruajtëse. Jemi përkrah aleatëve, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua t’i garantoj aleatët tanë që Shqipëria do të jetë jo thjesht faktor stabiliteti, por edhe eksportues kudo ku NATO dhe OKB do të kenë nevojë për angazhimin tonë.
Edukimi i FA duhet të marrë një vëmendje të veçantë. Angazhohem të jap mbështetjen time rritjes së akademisë. Baza e Kuçovës është një ngjarje me rëndësi të veçantë, por edhe sidë që do të kërkojë angazhim maksimal. Ka filluar dialogu me NATO-n, për bazën e Pashalimanit. Le të bashkojmë forcat dhe të frymëzohemi nga e ardhmja”.
Nga ana e saj Xhaçka theksoi se Forcat e Armatosura kanë një ardhme të ndritur përpara dhe janë një institucion që gëzon respektin dhe admirimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas saj në FA ka filluar të konsolidohet filozofia e profesionalizmit dhe meritokracisë.
“Sot FA janë një institucion që gëzon respektin dhe admirimin e shqiptarëve. Pas tërmetit e pandemisë qytetarët shqiptarë kishin sigurinë që nuk do të ishin kurrë vetëm. Me reformat dhe ngritjen e AKMC kemi kontribuar për sigurinë e mirëqenien e qytetarëve. Sot FA gëzojnë respektin dhe vlerësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Efektivët tanë nga Afganistani në Letoni e në Egje kanë shkëlqyer me punën dhe profesionalizmin e tyre. Shqipëria ka përforcuar imazhin jo thjesht si shtyllë stabiliteti në rajon por edhe si një eksportuese e sigurisë. Në FA ka filluar të konsolidohet filozofia e profesionalizmit dhe meritokracisë. Akreditimi i AFA si institucioni i vetëm i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë do konsolidojë FA. Ia dolëm të përmirësojmë trajtimin financiar për efektivët e FA. Adresuam një padrejtësi të vitit 2013 dhe ia dolëm të çojmë më shumë të ardhura në familjet e ushtarakëve. Sot FA ka nisur të hedhë hapat e para drejt ringritjes së Forcës Ajrore duke i shtuar flotës helikopterët Blackhawk. Së shpejti nis puna me Lockheed Martin edhe për vëzhgimin e integruar të hapësirës ajrore”.