Pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka deklaruar se ditën e sotme është marrë një vendim historik.
Peleshi ka dhënë lajmin e mirë se për të gjithë ushtarakët, nga data 1 Korrik, do të rritet paga me 30 %.
Niko Peleshi: Kemi marrë një vendim i cili është një vendim që nuk merret shpesh. Në 30 vite nuk ka pasur një vendim si ky, që lidhet me trajtimin me pagë të personelit ushtarak, pra të gjithë Forcave të Armatosura. Sot kemi bërë rritjen historike të pagës dhe për këtë jam shumë krenar.
Të gjithë ushtarakët, nga data 1 Korriku do të kenë një pagë 30 për qind më të lartë. Çfarë do të thotë që paga minimale në Forcat e Armatosura është më shumë se 51 mijë lekë të reja, shtuar këtu pastaj edhe pagesa shtesë të trajtimit ushqimor dhe trajtimet e tjera sipas vështirësive. Kemi miratuar dhe një listë për disa që do të marrin paga shtesë mbi shtesën, është struktura e mbrojtjes kibernetike që do të marrë edhe 20 mijë lekë të reja mbi këtë pagë, duke parë edhe rëndësinë që ky domen i ri ka marrë sot në Shqipëri edhe pas agresionit rus. Shtesa mbi shtesa kemi parashikuar dhe për 38 pozicione të tjera.
Nga data 1 Korrik, ushtarakët tanë do të kenë ndër pagat më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Është bërë realitet një premtim i shumëpritur për t’u zbatuar. Nuk jemi në momentet më të mira për të rritur shpenzimet, por premtimi është premtim. Sot po rrisim 30 për qind pagën e ushtarakëve tanë për të ju dhënë dinjitet, për të hapur dyert. Kohët që po vijnë kërkojnë më shumë vëmendje në Forcat e Armatosura.