Aktualitet Pëllumb Pipero del kundër vetes dhe ndryshon mendim

Pëllumb Pipero del kundër vetes dhe ndryshon mendim

Pjesë e panelit tek emisioni “Historia ime” në Tv Klan ka qenë mjeku infeksionist Pëllumb Pipero i cili ka pranuar publikisht se i del kundër deklaratës që ai vetë ka bërë disa kohë më parë, ku shprehej se ishte kundër mbajtjes së maskës në rrugë.

Tani ai ka ndryshuar bindje dhe shprehet se mbajtja e maskës është gjëja më e rëndësishme që mund të parandalojë infektimin nga Covid-19 si në ambiente të mbyllura ashtu edhe në ambiente të hapura.

Pëllumb Pipero: Më lejoni paraprakisht t’i kthehem një deklaratë që kam bërë muaj më parë në këtë televizion gjatë të cilës kam thënë që unë Pëllumbi me eksperiencë 40-vjeçare, kam qenë, jam dhe do të jem kundër maskës në mjedis të hapur, por për shkak të dëmeve që po shkakton ky virus, do të dal kundër vetes time dhe do e rekomandoja që maska të bëhet e detyrueshme edhe në ambiente të hapura.

Mirela Milori: Çfarë ndryshoi në bindjen jote?

Pëllumb Pipero: Kanë ndryshuar shumë gjëra, ka shumë studime që janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Ajo që ka ndryshuar në konceptin tim është dinamika e jetës jashtë mureve të shtëpisë, jashtë mureve të institucionit.

“E vetmja gjë që jam kundër vendimit të Ramës”

Sipas tij njerëzit duhet të kenë mirëkuptim dhe të kuptojnë se maska është i vetmi mjet që na mbron dhe se duhet ta bëjmë mënyrë të jetesës. Pipero shprehet se për të vetmen gjë që nuk është dakord, janë gjobat. Ai i drejtohet Ramës që të heqë gjobat sepse shqiptarët janë gjobitur boll nga natyra, nga dy tërmetet e pandemia, prandaj kjo është e tepërt.

“Kur kam thënë që maska duhet të bëhet e detyrueshme unë në këtë situatë kam qenë dhe jam kundër çdo gjobe sepse ne shqiptarët boll jemi gjobitur nga natyra, dy tërmete dhe pandemia. Ne duhet të mësohemi të respektojmë çdo rregull dhe ligj që vjen sepse historikisht shqiptarët janë lidhur pas fjalës dhe jo pas normave administrative. Do ishte e më e pranueshme në opinionin tim një aleance mbarëkombëtare, specialist dhe qytetarë, qytetarë dhe institucion që të mirëkuptohemi dhe të biem dakord që maska është mjeti më mbrojtës deri tani dhe duhet të bëhet pjesë e jetës sonë dhe ta bëjmë mënyrë jetese.

Kjo maskë të mbron ty, mbron doktoreshën, nuk më mbron mua. Po ta mbash dhe ti, më mbron dhe mua. Duhet ta dinë gjithë shqiptarët që Covid-19 nuk ka as këmbë as krahë, kokë as logjikë. Ky virus nuk qarkullon me këmbët e veta, qarkullon me ne qytetarët. Maska duhet të jetë me vete për ta përdorur aty ku duhet dhe aq sa duhet. Përdorimi i maskës e ul ndjeshëm transmetimin e virusit dhe ul sëmueshmërinë nga ky virus. Duke pasur këtë maskë neve marrim shumë më pak spërkla pështyme me viruse brenda.

Në rast se unë rri përballë me ju për 15 minuta dhe bëj muhabet apo teshtij, ky virusi përmes spërklave mund të transmetohet deri në 3 metra. Ndaj krahas distancës fizike dhe higjienës së duarve, maska është më e rëndësishme dhe më e sigurta për aq kohë sa nuk kemi një vaksinë. I them kryeministrit që nuk jam dakord për gjobën, më duket e tepërt si Pëllumb”, është shprehur ai.