Një histori e denjë për librat e Dan Brown është ajo e dorëshkrimeve të Çarls Darvin. Dy të tilla me vlerë miliona paund u raportuan si të vjedhura nga biblioteka e Universitetit të Kembrixhit pasi ishin zhdukur për dy dekada.
Zhdukja e tyre u pasua me një apel mbarëbotëror, edhe me ndihmën e forcës policore lokale dhe Interpolit.
Krejt papritur, të dy fletoret e Çarls Darvin rishfaqen në derën e bibliotekës. Dorëshkrimet, mes të cilave gjendet edhe skica kryesore e Darvinit, e vitit 1837, Pema e Jetës – janë kthyer në mënyrë anonime në një çantë dhuratash, me një shënim në një zarf që i uron bibliotekares “Gëzuar Pashkët”.
Çanta u la në dyshemenë e një hapësire publike të bibliotekës jashtë zyrës së bibliotekarit në katin e katërt të ndërtesës 17-katëshe më 9 mars, në një zonë që nuk mbulohet nga kamerat.
Në vitin 2001, fletoret, të cilat përfaqësojnë disa nga idetë e para të Darvinit për teorinë e tij radikale të evolucionit nga seleksionimi natyror, fillimisht u zbuluan se mungonin. Ata ishin hequr nga magazinimi për t’u fotografuar dhe puna u regjistrua si e përfunduar në nëntor 2000. Por gjatë një kontrolli rutinë të mëpasshëm të bërë në janar 2001, u zbulua se nuk ishin kthyer në vendin e tyre të duhur. Në atë kohë, stafi besonte se mund të ishin vendosur diku tjetër gabimisht.
Një kërkim i detajuar në zonat kryesore në bibliotekë, e cila strehon rreth 10 milion libra, harta, dorëshkrime dhe sende të tjera, rezultoi i pafrytshëm dhe librat u raportuan përfundimisht si të vjedhura në policinë e Kembrixhit në vitin 2020.
Policia më pas nisi një hetim dhe njoftoi Interpolin, ndërsa universiteti bëri një apel global për këdo që kishte informacion. Kthimi i tyre i ka habitur dhe kënaqur autoritetet.