Sport Penalltia e diskutuar e Anglisë, trajneri danez: Nuk meritonim të eliminoheshim kështu

Penalltia e diskutuar e Anglisë, trajneri danez: Nuk meritonim të eliminoheshim kështu

Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand është shfaqur i pakënaqur për mënyrën se si Anglia i dha fund ëndrrës së skandinavëve në Euro 2020. Në konferencën për shtyp pas takimit, tekniku 49-vjeçar këmbënguli se penalltia nuk duhej të akordohej për shkak se në atë moment kishte dhe një tjetër top në fushë, çka e ka zhgënjyer tej mase.

“Ishte një episod që nuk duhej të ishte penallti. Është diçka që më bezdis. Tingëllon e çuditshme, por nuk mund të mos e ripërsëris atë moment. Në lojë dikush fiton dhe dikush humbet, por të humbasësh në këtë mënyrë është zhgënjyese, sepse këta futbollistë kanë luftuar shumë për të arritur këtu”, tha trajneri i Danimarkës.

Në fund, Hjulmand përgëzoi rivalët, duke konfirmuar se ashtu siç Luis Enrique i cili pranoi se do mbështeste Italinë në finale, ai do të bëjë tifo për Anglinë në finalen e madhe të Europianit.