Ofensiva turke në Sirinë veriore do të jetë në qendër të vizitës së zv. presidentit amerikan Mike Pense në Ankara.
Numri dy i Uashingtonit mbërriti të enjten ne kryeqytetin turk për të zhvilluar bisedime me presidentin Rexhep Taip Erdoan. Pence pritet t’i bëjë thirrje Turqisë të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore, një ditë pasi presidenti amerikan kërcënoi me sanksione të rënda.
Ofensiva një javore ka krijuar një krizë të re humanitare në Siri, me rreth 160 mijë qytetarë që janë shpërngulur nga banesat e tyre. Me dhjetëra janë viktimat civile ndërsa gati 1 mijë luftëtarë të ISIS janë arratisur nga kampet ku mbaheshin të burgosur.