Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier pranoi për herë të parë se ka bërë gabime në politikën ndaj Rusisë. “Këmbëngulja ime për Nord Stream 2 ishte një gabim i qartë. Ne u qëndruam besnikë urave, të cilave Rusia nuk u besonte më, gjë për të cilat na kishin paralajmëruar partnerët tanë”, tha Steinmeier gjatë një konference për mediat në Berlin.
E hidhur është gjithashtu se “ne dështuam në krijimin e një shtëpie të përbashkët evropiane, në të cilën përfshihet edhe Rusia. Dështuam me qasjen për të përfshirë Rusinë në një arkitekturë të përbashkët sigurie” – tha Presidenti Steinmeier.
Steinmeier, një socialdemokrat i cili shërbeu si ministër i Jashtëm përpara kancelares Angela Merkel, tha se ai dhe të gjithë të tjerët duhej të vendosnin kufirin dhe të pranonin sinqerisht gabimet e tyre për shkak të agresionit rus të Ukrainës, raportoi Reuters.
Gazsjellësi i ndërprerë tani Nord Stream 2 është kritikuar nga shumë faktorë, duke pretenduar se do të dobësojë Ukrainën duke e përjashtuar atë nga biznesi i energjisë.
“Ne kemi qëndruar në një lidhje që Rusia nuk besonte më dhe për të cilën partnerët e tjerë na paralajmëruan”, shtoi ai.
Gjatë konferencës për shtyp Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se ai kishte menduar se Putini nuk do të arrinte deri aty sa të pranonte shkatërrimin e plotë ekonomik, politik dhe moral të vendit të tij për çmendurinë e tij perandorake.
“Nuk besoja se Vladimir Putin do të pranonte shkatërrimin e plotë ekonomik, politik dhe moral të vendit të tij në emër të çmendurisë së tij perandorake. Kam bërë një gabim në këtë, si gjithë të tjerët”, shtoi ai.
Kritikët kanë postuar vazhdimisht foto në rrjetet sociale ku shihet Steinmeier duke përqafuar ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Shumë i hapur në kritikat e tij u shpreh edhe ambasadori ukrainas në Gjermani, Andriy Melnik.
Kur Steinmeier organizoi një “koncert solidariteti” për Ukrainën, Melnik shkroi me sarkazëm në Twitter se të vetmit solistë dukej se ishin rusët.
“Është një fyerje. Më vjen keq, por nuk po vij”, shkroi Melnik.
Presidenti gjerman tha se përgjegjësinë për luftën e mban shefi i Kremlinit, Vladimir Putin. “Ne nuk duhet ta marrim këtë përgjegjësi mbi vete. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të rishqyrtojmë disa gjëra ku kemi bërë gabime”, tha Steinmeieri duke shtuar se me një Rusi nën Putinin nuk do të ketë “kthim në status quo-në e para luftës”.