Aktualitet Pensionet e reja të pleqërisë/ Dokumentet që duhen në mungesë të Librezës...

Pensionet e reja të pleqërisë/ Dokumentet që duhen në mungesë të Librezës së Punës

Me plotësimin e kushteve të daljes në pension (mosha e përcaktuar dhe periudha e sigurimeve), çdo person duhet të plotësojë kërkesën e përfitimit pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore që mbulon vendbanimin e tij, të cilës duhet ti bashkëngjisë edhe dosjen e dokumenteve të kërkuara.

Ndër dokumentet e rëndësishme që nuk duhet të mungojë kur aplikoni për daljen në pension është libreza e punës dhe e kontributeve.

Megjithatë, për personat që janë në prag të daljes në pension e që nuk disponojnë këto dokumente, autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se konfirmimi i vjetërsisë së punës mund të bëhet nëpërmjet dokumenteve të tjera shtesë.

Dosja e dokumenteve shtesë

Konkretisht, sipas skedës informative të zbardhur nga strukturat e sigurimeve shoqërore, shtatë dokumentet shtesë që kërkohen në rastet e mungesës së Librezës së punës dhe asaj të Kontributeve janë:

“Vërtetimi nga Qendra e punës për periudhat e punës, Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në vitin 2011, Vërtetim page për  kontributet e derdhura që nga viti 2012 deri në momentin e lënies së punës , vërtetim i pagesës së papunësisë, vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë, mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve vullnetare në rast se është aplikuar në këtë skemë, si dhe vërtetimi për pagesën kalimtare (si ushtarak).

Për secilin prej këtyre dokumenteve gjeni të detajuar në vijim edhe institucionin, apo zyrat ku mund të bëni tërheqjen e tyre për plotësimin e dosjes së pensionit.

Ndërkohë që të detyrueshme në dosjen e dokumenteve duhet të jenë edhe fotokopjet e Kartës së identitetit,  certifikata familjare, certifikata e martesës(kur ka ndryshim mbiemri), deklarata për vitet e punës, vërtetimi për periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për meshkujt, si dhe diploma e shkollës së lartë që është e detyrueshme vetëm për femrat.

Afatet e caktimit të pensionit

Për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë, që parashikohen në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, personi i interesuar, fillimisht 1 vit para se t’i lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) tek inspektori pritës, ku dhe pajiset me formularët përkatës që duhet të plotësojë dhe dosjen e dokumenteve që duhen për të dalë në pension.

Kërkesa paraprake plotësohet nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës. Pasi kryhen të gjitha verifikimet në lidhje me plotësimin e kushteve të përfitimit, vendimi për caktimin e pensionit merret nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.

Në vendim caktohet lloji i pensionit, masa e tij dhe afati i pagesës. Lidhur me afatin e pagesës në këtë vendim sqarohet se për pensionet e pleqërisë dhe për pensionin familjar, në rastet kur anëtari i familjes që përfiton pension është mbi moshën për punë që përcakton ligji, përfitimi caktohet i përhershëm.

Ndërsa për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim dhe për kompensime të tjera që marrin edhe pensionet e pleqërisë, afati do të vendoset sipas rastit. Pensioni i invaliditetit caktohet deri në datën e mbarimit të afatit të caktuar të vlerësimit të aftësisë për punë, me vendim të KMCAP-it.

Për pension familjar për jetimët, afati i pagesës caktohet deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç e vazhdojnë shkollën caktohet deri në një muaj pas datës së fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast më shumë se data e mbushjes të moshës 25 vjeç.

Po ashtu bëhet e ditur se për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim, për personat që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, vendoset data e plotësimit të moshës 18-vjeçare të fëmijës më të rritur. Kur anëtarët e familjes që marrin pension familjar, kërkojnë që të ndahet e të paguhet i veçantë për secilin, nuk merret vendim tjetër, por në vendimin ekzistues bëhen shënimet për ndarjen e pensioneve.

Në këto raste, nuk hapet një dosje tjetër, por vetëm plotësohet kartela, urdhër pagesa e libreza e pensionit e veçantë për aq pjesë sa është ndarë pensioni.

Ndryshimi i masës së pensionit

Kur pas marrjes së vendimit për caktimin e pensionit, pensionisti paraqet kërkesë me shkrim, së bashku me dokumente të tjera që i japin të drejtë për rritjen e masës së pensionit, struktura rajonale e sigurimeve shoqërore që është përgjegjëse për caktimin e pensionit merr vendim për ndryshimin e masës së përfitimit.

Gjithashtu, vendimi për ndryshimin e pensionit merret edhe pa kërkesën e të interesuarit, për rastet kur konstatohet se janë bërë gabime në masën e pensionit në një vendim të mëparshëm, si dhe kur bëhen rritje me vendim të Këshillit të Ministrave.

Masa e pensionit të pleqërisë

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social.

Shtesa do të jetë  një për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

DOSJA E PLOTË QË DUHET PËR PENSIONIN E PLEQËRISË

  1. Mosha
  • Certifikatë lindjeje me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Certifikatë martese (vetëm për kërkueset femra).
  • Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë
  • të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës, apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë
  • lindjeje, martese ose vdekjeje.
  • Fotografi për librezën e pensionit.
  1. Periudha e sigurimit dhe lloji i punës
  • Libreza e punës.
  • Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
  • Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale

të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.

  • Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativë bujqësore për ish-anëtarët e saj, para vitit 1992.
  • Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
  • Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
  • Për personat që përfitojnë nga ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” duhen edhe: Dëshmi penaliteti, vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, si dhe vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
  1. Të ardhurat
  • Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar.
  • Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës.
  • Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.561, datë 12.8.2005.

 

DOSJA  SHTESË QË DUHET KUR JU MUNGON LIBREZA E PUNËS

  • Vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës, lëshohet nga Qendra e Punës.
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në vitin 2011, që po ashtu lëshohet nga Qendra e Punës,
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 2012 deri në momentin e lënies së punës që mund të sigurohet nga Portali e-Albania, DRSSH.
  • Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë) që lëshohet nga Zyra e Punës.
  • Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë që lëshohet nga Gjykata.
  • Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve që duhet ti ketë vetë personi që aplikon për pension.
  • Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak) që sigurohet nga Qendra e Punës.

 

Kushtet dhe dosja që duhen për pensionin social

  • Për të përfituar pension social, çdo aplikues duhet të ketë arritur moshën 70 vjeç, të jetë me qëndrim të  përhershëm në Shqipëri për të paktën për 5 vitet e fundit. Ky pension sigurohet kur nuk plotësohen kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme, si dhe kur përfituesi nuk ka të ardhura ose janë më të pakta se një pension social.
  • Në dosjen e pensionit social duhet të përfshini: “Fotokopje e Kartës së identitetit, certifikatë familjare deklaratë për gjendjen social-ekonomike, vërtetim nga zyra e gjendjes civile, që është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha që paraqet kërkesën, vërtetim nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike, certifikatë pronësie ose akti i marrjes në pronësi/në përdorim të tokës, vërtetim për ndihmën ekonomike, si dhe deklaratë nëse je aksioner apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike/ pasuri të patundshme, që nxjerr të ardhura.
  • Përfituesi duhet të paraqesë një herë në vit deklaratën për gjendjen social- ekonomik. Pensioni social tërhiqet nga përfituesi çdo muaj. Pagesa e pensionit social ndërpritet në rast se nuk tërhiqet, në qendrat e përcaktuara të pagesës. Pensioni social mbyllet kur konstatohet se ka të dhëna jo të vërteta, lidhur me kushtet ligjore të përfitimit. Ky pension nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi është për kurim në spital.