Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të mërkurë në një konferencë të përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin italian Antonio Tajani, sa i takon bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Rama shprehu falenderim për angazhimin e qeverisë aktuale italiane në të gjitha çështjet për rajonin, duke e cilësuar Italinë si “avokat” dhe zërin më të fortë në Bruksel për Shqipërinë
“Qeveria italiane po shfrytëzon potencialet e jashtëzakonshme në të gjitha fushat mes Italisë e Shqipërisë. Nuk ndodh gjithmonë që të shkosh në një vend tjetër me një delegacion kaq të madh dhe të mos kesh nevojë për kufje. Jo vetëm që italishtja është gjuha e dytë e shqiptarëve, por edhe gjuha politike është e njëjta. Ne kemi plotësisht të njëjtat qëndrime mbi të gjitha çështjet dhe na kënaq që Italia është avokati ynë më i besuar në nivelin evropian dhe zëri më i fortë e i dëgjuar në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë e Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin evropian. Na kënaq shumë që kjo qeveri ka një angazhim të veçantë për të kaluar nga shumë premtime në fakte konkrete në fushën e ekonomisë, në politikat e përbashkëta.”
Rama tha se lajm i mirë për shqiptarët në Itali është marrëveshja e pensioneve, e cila sipas tij është drejt përfundimit.
“Dua t’u them shqiptarëve se ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë italiane, marrëveshja për pensionet është një arritje si pikënisje e shumë të tjerave. Të gjithë shqiptarët e shumtë që kanë punuar e punojnë në Itali më në fund do ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe për këtë qeveri e vila do e çojë në fund këtë nismë nga pikëpamja sociale.”
Ndërsa ministri i Jashtëm i Italisë, njëkohësisht edhe zv/kryeministër, Antonio Tajani, tha se Italia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit europian.
Ai u shpreh se uron që kjo të ndodhë para vitit 2030, ndërsa Roma zyrtare, sipas tij, do të vijojë që të insistojë që të ketë një proces integrimi të përshpejtuar.
“Italia i konsideron marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor si përparësi të politikës sonë të jashtme. Do jemi të favorshëm për hyrjen brenda BE-së të këtyre vendeve duke filluar nga Shqipëria, një vend që gjithmonë e kemi mbështetur. Urojmë që kjo të ndodhë para vitit 2030. Insistojmë në mënyrë të tillë që të kemi një proces integrimit të përshpejtuar. Në takimin në Dhjetor që do të zhvillohet do të jetë dhe një rast për t’i dhënë impuls procesit të zgjerimit të BE-së. Ky angazhim i përforcuar italian do të vijojë edhe nëpërmjet një koordinimi edhe më të ngushtë me partnerët tanë të BE-së”, tha Tajani.
Deklaratat i bëri në një konferencë për shtyp pas takimit të Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali. Tajani tha se Italia me Shqipërinë bashkëndajnë lidhjet e thella historike.
“Me miqtë shqiptarë ramë dakord për disa linja veprimi me 3 çështje të mëdha; infrastruktura, energjia, sektori bujqësor dhe agro-ushqimor. Duam që të përfshijmë këtë bashkëpunim përforcues edhe sektorin privat”, tha Tajani.
“Mbledhje shumë pozitive, shumë e frytshme sepse ka bërë përpara në marrëdhëniet që janë ekselente, të shkëlqyera mes Italisë dhe Shqipërisë”, shtoi ai.
Po ashtu, ai tha se ekziston një lidhje historike edhe për çështjen e emigracionit. Dhe për këtë problematike theksoi se bashkëpunimi me palën shqiptare është i shkëlqyer.
“Rruga e Ballkanit duhet mbajtur nën kontroll dhe nuk duhet të rritet prania e emigracionit klandestin. Pra bashkëpunim i përkryer”, tha Tajani.