Një pensionist ka kërkuar një analizë ADN-je të mbretëreshës për të provuar se ai është pasardhës i familjes mbretërore dhe trashëgimtar i ligjshëm i fronit, duke kërcënuar se do të padisë pallatin mbretëror Buckingham Palace, nëse kërkesa e tij nuk merret parasysh.
Francois Graftieaux, 73 vjeç, pretendon se babai i tij Pierre-Edouard, ka ardhur në jetë si pasojë e një lidhje mes gjyshes së tij Marie-Leonie Graftieaux dhe princit të asokohe të Uellsit, Edward VIII. Nëse provohet një gjë e tillë, kjo do të thotë se Graftieaux, është trashëgimtar i fronit, pasi Edwardi i VIII hoqi dorë prej tij për t’u martuar me të dashurën amerikane Wallis Simpson.
Pensionisti ka një ngjashmëri të madhe me dukën e Windsor, titull që iu dha Edward VIII pasi ai hoqi dorë nga të drejtat e tij mbi fron.
“Nëse im atë dhe unë nuk do të kishim asnjë pretendim mbi fronin për shkak të vendimit të Edward, i cili gjithashtu ndaloi pasardhësit e tij të bëhen mbret, të paktën Graftieaux do të kishin tituj fisnik. Si i fundit i familjes sime, unë do të ndërmarrë çdo nismë që të jetë e nevojshme për të mbrojtur trashëgiminë tonë dhe për të hedhur dritë mbi një nga skandalet më të mëdha të seksit në pallatin mbretëror”, tha 73-vjeçari për mediat vendase.
Për të provuar lidhjen e babait të tij me shtëpinë Windsor, Graftieaux ka kërkuar, për herë të tretë, që pallati mbretëror të sigurojë një mostër ADN-je të mbretëreshës.
Pensionisti i cili tashmë jeton në Portugali kishte kërkuar edhe më parë një mostër të ADN-së në vitin 2013, por pa insistuar, ndërsa thotë se nëse kërkesa e tij e fundit do të injorohet, atëherë do të hapë një çështje ligjore kundër vetë pallatit.
Graftieaux pretendon se ai nuk po kërkon në kompensim një titull, por se dëshiron që familja e tij të njihet si pjesë e rëndësishme e historisë së familjes mbretërore britanike.
Por sipas ligjit anglez familja mbretërore nuk mund të ndiqet penalisht dhe as të gjykohet nëpërmjet një gjykate civile. Megjithatë zoti Graftieaux paralajmëron nisjen e një çështje ligjore kundër vetë Pallatit, duke detyruar kështu nisjen e një hetimi, nën mbikëqyrjen e ligjit për të drejtat e njeriut.
Po ashtu thotë se gjyshja e tij nuk e kishte deklaruar emrin e gjyshit në certifikatën e lindjes dhe se këtë gjë Graftieaux e zbuloi pas një vizite në arkivat franceze.
Kur ajo foli për shtatzëninë e saj, heshtja e Marie-Leonie u ble, pretendon Graftieaux dhe paratë e marra e ndihmuan që të bëhej një prej stilisteve kryesore të modës në Francë.
Për më tepër, gjyshja e pensionistit mori një byzylyk diamanti Van Cleef dhe Arpels, në vitin 1946, e cila është një model ekskluziv i krijuar nga Duka i Windsor.
Ndërkohë pallati mbretëror, Buckingham Palace, tha se nuk do i komentojë pretendimet e Graftieaux apo kërkesën e tij për një mostër të ADN-së.
Edward VIII, (vëllai i të cilit është Mbreti George VI, babai i Mbretëreshës Elizabeth II), hoqi dorë nga froni në mënyrë që ai të martohej me amerikanen Wallis Simpson. Mbretërimi i tij prej 326 ditësh është një nga më të shkurtrit në historinë e monarkisë.