Bota Pentagoni do të rrisë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme

Pentagoni do të rrisë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme

Ushtria amerikane do të dislokojë avionë dhe anije luftarake shtesë në Lindjen e Mesme, njoftoi Pentagoni të Premten, ndërsa Uashingtoni synon të forcojë masat mbrojtëse pas kërcënimeve nga Irani dhe aleatët e tij, Hamasi dhe Hezbollahu.

Shtetet e Bashkuara po përgatiten që Irani të përmbushë zotimin e tij për t’u hakmarrë.

Shefi i mbrojtjes amerikane tashmë ka miratuar dërgimin e anijeve luftarake që mund të rrëzojnë raketa balistike që synojnë objektiva në Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin e ka informuar Izraelin për ndryshimet aktuale dhe të ardhshme të pranisë së forcave amerikane në Lindjen e Mesme, njoftoi Pentagoni

Zyrtarët i thanë më herë agjencisë së lajmeve Reuters se po shqyrtojnë një gamë e gjerë variantesh, përfshirë mjetet ajrore dhe detare.

Ndryshimet e pritshme vijnë pasi Shtetet e Bashkuara po përgatiten pas kërcënimeve të Iranit për të reaguar lidhur me vrasjen e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, dy ditë më parë në Teheran dhe një seri eliminimesh të figurave të larta të grupit militant palestinez.

Shefi i Pentagonit, Lloyd Austin, zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, ndërsa në Gazë vazhdon lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, tha për gazetarët se “Sekretari Austin e informoi ministrin se masat shtesë të Pentagonit do të përfshijnë ndryshime të vazhdueshme të pozicionimit të forcave amerikane për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit”.

Zëdhënësja shtoi se Presidenti Biden dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes kanë shprehur përkushtimin për shtimin e forcave mbrojtëse në rajon.

Mbetet e paqartë nëse përgatitjet amerikane janë aq intensive sa ishin përpara 13 prillit, kur Irani ndërmori një sulm me dronë dhe raketa kundër territorit izraelit. Ushtria izraelite eliminoi me sukses pothuajse të gjitha raketat dhe dronët, rreth 300, me ndihmën e ushtrisë amerikane dhe aleatëve të tjerë.

Në një telefonatë me Kryeministrin Netanyahu të enjten, Presidenti Biden foli për dislokimet e reja amerikane për të mbështetur Izraelin përballë kërcënimeve me raketa dhe dronë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Irani dhe Hamasi e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe janë zotuar të hakmerren kundër armikut të tyre. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë dhe as nuk e ka mohuar atë.

Zëdhënësja Singh tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin një konflikt më të gjerë rajonal dhe nuk besojnë se një përshkallëzim është i pashmangshëm.