Programi i Pentagonit që heton objektet fluturuese të paidentifikuara mund të udhëzohet të bëjë publike disa nga informacionet e tij pasi Kongresi të kalojë aktin e autorizimit të inteligjencës, raporton “New York Times”.
Ish-këshilltarë të Pentagonit thonë se “mjete udhëtimi që nuk janë prodhuar në Tokë” ruhen nga qeveria amerikane.
Propozimi për hapjen e Pentagonit në raport me këtë kategori informacioni u hodh muajin e kaluar në një raport të komitetit të Senatit që analizonte shpenzimet për agjencitë e inteligjencës për vitin e ardhshëm.
Në raport thuhet se Task Forca e Fenomeneve Ajrore të Paidentifikuar, pjesë e Zyrës së Inteligjencës Detare, standardizon mbledhjen dhe raportimin për “fenomenin ajror të paidentifikuar”. Programi nuk ka të bëjë aq shumë me gjetjen e qenieve jashtëtokësore sesa mbajtjen në vëzhgim të vendeve të tjera për teknologjitë e reja ajrore që mund të përbëjnë një kërcënim për SHBA-të.
Në prill, Pentagoni lançoi tre video të paklasifikuara të marra nga pilotët e Marinës që kanë qarkulluar për vite me radhë. Pamjet tregojnë ndërveprime me “fenomene ajrore të paidentifikuara”. Njëra nga videot tregon një incident nga 2004, dhe dy të tjera janë regjistruar në janar 2015. Videot u bënë publike pas publikimeve të paautorizuara në 2007 dhe 2017.