Extra “Për 22 vite babai ka qenë armiku më i madh”, Albano Bogdo...

“Për 22 vite babai ka qenë armiku më i madh”, Albano Bogdo flet për marrëdhënien me të atin dhe varësinë nga alkooli

Albano Bogdo, në një rrëfim në “Ferma VIP”, zbuloi disa të pathëna nga jeta e tij. Ai tregoi se prindërit e tij janë çifti i parë i divorcuar në Sarandë dhe se nuk kishte ndodhur kurrë ndonjë divorc në qytet në kohën e demokracisë.

“Babai dhe mamaja ime janë çifti i parë që janë divorcuar në Sarandë në kohën e demokracisë. Dashamirësit të thonë je ti burri i shtëpisë tani, dhe të jesh burri i shtëpisë do të thotë të punosh, të të heqin nga fëmijëria. Lë librat, merr një termus me akullore, një qese kausha dhe një arkë me banane nga krahu tjetër”.

Ai tregoi se kishte 1 dekadë pa e parë të atin dhe se nuk e ka shprehur mungesën dhe dashurinë që ndien:

“10 vjet pa u takuar dhe në këto 10 herë, mund të kem folur 7 herë në telefon. E kam ndjerë mungesën e tij, por nuk e kam shprehur asnjëherë. Nuk ia shprehim kollaj dashurinë njëri-tjetrit. Armiku më i madh që kishte ai në jetë isha unë. Armiku më i madh që kisha unë në jetë, ishte ai. Një ditë e kuptuam që nuk kishim asnjë armiqësi me njëri-tjetrin. Filloi të qante dhe më përqafoi, kisha 22 vite qe nuk e përqafoja. Nuk e dija që më donte babai”.

Ai shprehu edhe dashurinë e jashtëzakonshme që ka për të ëmën:

“E kam dritën e syve. Nuk e bënin dot 10 burra atë që mamaja ka bërë për mua, duke pasur edhe dy fëmijë të tjerë. Nuk më dalin 1 mijë jetë t’ia shpërblej atë që ka bërë për mua. Nuk ka shpikur njerëzimi fjalë që t’ia shpjegoj se sa e dua”.

Më tej, Albano tregoi për jetën e tij dhe varësinë nga alkooli: “Vija nga një jetë shumë modeste. Ëndrra ime ka qenë gjithnjë të bëhesha aktor”, e nisi ai rrëfimin e më tej, tregoi se si u bë i varur nga alkooli.

“Bëhesha gjithnjë e më i famshëm dhe merrja shumë lekë. Nuk dija si të reagoja. Kisha një vit që kisha dalë nga bankat e shkollës dhe isha i pasur dhe i famshëm në të gjithë republikën. Isha totalisht i alkoolizuar. Më kishte dalë situata nga kontrolli. Dilja në skenë dhe askush nuk dinte asgjë për këtë. Ka qenë ndër periudhat më të errëta të jetës sime”.

Ai tregoi se e kishte lënë alkoolin në verën e vitit 2016-ës dhe më pas, kur e ëma u infektua me Covid-19, bleu një shishe 1-litroshe me whisky, të cilën nuk e piu. “Nuk piva më. Burrat që nuk pranojnë gabimet që kanë bërë, t’i marrin, t’i përtypin dhe t’i thonë”, u shpreh ai.

Albano tregon se ka probleme me veten dhe ka frikë se mos sërish bie pre e tundimit.