Vendimi i Jurisë së Madhe kundër Donald Trump, bashkoi republikanët, përfshirë rivalët e ish-presidentit.
Udhëheqës të lartë republikanë në Kongresin amerikan shprehën mbështetje për Trump duke e mbrojtur atë, ndërsa lëshuan sulme të drejtpërdrejta ndaj trupës gjykuese në Manhatan që i hapi rrugën ngritjes së akuzave penale ndaj 76-vjeçarit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Republikani Kevin McCarthy, përdori të njëjtën gjuhë si miliarderi duke pretenduar se sistemi amerikan i drejtësisë është përdorur politikisht kundër Trumpit.
Të tjerë folën për gjueti shtrigash, ditë të errët për Shtetet e Bashkuara dhe hakmarrje politike. Nga ana tjetër, demokratët janë treguar më të kujdesshëm në reagimet e tyre. Presidenti Joe Biden nuk ka komentuar lidhur me zhvillimet, por politikania e njohur demokrate, Nancy Pelosi, kritikja më e fortë e Trump, bëri thirrje që ligjet e vendit të respektohen.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë kanë të drejtën e një gjyqi për të provuar pafajësinë”, ka shkruar Pelosi në Twitter. Pas shpalljes së vendimit, në pjesë të ndryshme të SHBA-ve, përfshirë pranë Shtëpisë së Bardhë, janë mbajtur manifestime të shumta, pro dhe kundër Trump.