Evi Reçi dhe Kledi Hysa janë në kopertinën e revistës “Who” dhe për herë të parë, në një intervistë ekskluzive, ata kanë rrëfyer se si u njohën dhe si ia dolën ta mbanin private marrëdhënien e tyre.
Shkëndijat e para mes tyre lindën gjatë njohjes së tyre, duke u konsoliduar ngadalë. Ndonëse, nuk njiheshin dhe aq mirë dhe nuk ndiqeshin në rrjetet sociale, Kledi dhe Evi u takuan në një event në dhjetor të vitit 2021 dhe aty, siç tha edhe Kleidi, foli nënvetëdija e tyre.
Më pas, ata treguan se si e mbajtën marrëdhënien e tyre larg vëmendjes së publikut dhe e shijuan vetëm për veten.
Evi u shpreh: “Kur njohja të merrte një formë, kjo ishte pjesa që na shqetësonte më shumë. Ende nuk e dinim ku ishim. Jeta e Kledit kishte ndryshuar në mënyrë radikale pas “BBVA”. Kishte ende vëmendjen e publikut, njerëzit e donin shumë, më pas u shtuan vajtje-ardhjet nga Austria, shumë gjëra për të zgjidhur dhe për më tepër duhej t’i përgjigjeshim dhe syrit kurioz të publikut. Nga ana tjetër, unë prej kohësh jam pjesë e medias, jam natyrë e përmbajtur në çdo sferë, sidomos në atë personale, kjo natyrisht ngjallte më tepër kuriozitet”.
Ndërsa Kleidi theksoi se nuk u pëlqente të jepnin shumë shpjegime dhe liria e tyre në fillim, ishte paksa e kufizuar: “Neve nuk na pëlqente të jepnim shumë shpjegime, sepse ende ishim duke ndërtuar diçka që nuk e dinim ku do të na çonte dhe çmimi që “paguanim” asokohe ishte të dilnim sa më pak, liria jonë ishte e kufizuar dhe ndërkohë lajmet e portaleve “gëlonin”.
Çifti tregoi edhe se kur e kuptuan se e donin njëri-tjetrin, ndonëse për Evin nuk kishte një moment fiks: “Të them të drejtën, nuk ka pasur një moment të tillë, por gjithçka ka ardhur dalëngadalë. Shikoja vëmendje që kishte tek unë, përkujdesjen, respektin, mentalitetin e hapur që më përshtatej, Por nëse do të thoja diçka, po, sa herë bënim plane, unë isha prioriteti i tij dhe kjo më bëri të kuptoja që kam të bëj me një person që përtej angazhimeve të shumta që kishte, dedikonte kohën e tij tek unë, pa u sforcuar e pa ia kërkuar. Madje nisa të kisha të nevojshme energjinë e tij çdo ditë, gjë që më bëri të reflektoja”, u shpreh ajo.
Për Kleidin, ishte po ashtu krejt e natyrshme: “Nuk ka qenë si në filma, pra dashuri me shikim të parë. Por ishte një ndjenjë që rritej çdo ditë. Sa herë e shikoja dhe në momentet që ajo nuk ishte aty, më mungonte shumë, ishte një ndjenjë që ushqehej dita-ditës. Edhe nëse kishte momente që doja të qëndroja vetëm, kisha ndjesinë se më mungonte diçka dhe ishte pikërisht energjia e Evit. Për mua ka qenë një energji që më tërhiqte në drejtim të saj, sidomos kur kuptova sa më mungonte prezenca e saj. Në ato çaste kam kuptuar që “po, e dua atë vajzë”.
Ata treguan edhe cilësitë që pëlqejnë te njëri-tjetri.
Evi pëlqen te Kleidi:
Pozitivitetin. Sipas saj, Kleidi nuk të lë të biesh të jep kurajo për të ecur përpara
Disiplinën për jetën e shëndetshme
Humorin dhe sarkazmën
Është i lidhur me familjen dhe bën shumë për familjarët
Është i gjatë, i pashëm dhe me stil
Ndërsa Kleidi pëlqen këto cilësi të Evit:
Çiltërsinë dhe pozitivitetin
Diturinë
Bukurinë natyrale
Fleksibilitetin në situata të ndryshme, pasi nuk mërzitet dhe do të provojë gjëra të reja
Timbrin dhe ngjyrën e zërit, pasi përcjellin emocion